Lidhje

Sudan, forcat e sigurisë vrasin dy protestues


Të dielën Sudani u përfshi nga të tjera protesta, e 12-ta e zhvilluar deri tani kundër një grushti ushtarak shteti që ndodhi më 25 tetor.

Sipas Komitetit Qendror të Mjekëve sudanezë forcat e sigurisë vranë dy protestues.

Më herët disa pamje filmike tregonin forcat e sigurisë duke hedhur gaz lotsjellës në drejtim të protestuesve që marshonin drejt pallatit presidencial në kryeqytetin e vendit Khartoum.

Disa dëshmitarë i thanë agjencisë së lajmeve Reuters se përpara protestave shërbimet e internetit dhe celularit u ndërprerë në kryeqytet.

Po kështu ishin mbyllur të gjitha urat që të lidhnin me Khartoum-in.

Protestat e së dielës vijnë pasi gjashtë persona humbën jetën dhe qindra të tjerë u plagosën në demonstratat mbarëkombëtare kundër sundimit ushtarak që u zhvilluan të enjten. Numri i të vdekurve që nga muaji tetor ka arritur tashmë në 54, sipas Komitetit Qendror të Mjekëve sudanezë.

Ushtria mori pushtetin falë një grushti shteti më 25 tetor duke i dhënë fund një marrëveshjeje për ndarjen e pushtetit me forcat politike civile. Marrëveshja e vitit 2019 ishte parashikuar t'i hapte rrugën krijimit të një qeverie kalimtare dhe zgjedhje të reja, pas largimit nga pushteti të udhëheqësit afatgjatë Omar al-Bashir.

Protestat kundër sundimit ushtarak kanë vazhduar edhe pasi Abdallah Hamdok u rikthye në detyrën e kryeministrit muajin e kaluar.

Demonstruesit kanë kërkuar që ushtria të mos luajë asnjë rol në qeveri gjatë periudhës së tranzicionit deri tek zgjedhjet e lira.

XS
SM
MD
LG