Lidhje

 Sari, fëmija me autizëm që flet disa gjuhë 


Sari, fëmija me autizëm që flet disa gjuhë
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:41 0:00

Sari Azzam është vetëm 5 vjeç dhe ditët i kalon duke parë video në platformën Youtube për të mësuar hebraisht, greqisht, spanjisht, frëngjisht apo gjuhë të tjera. Pas luftës në Siri, familja e djalit u zhvendos nga kampi Yarmouk dhe tani jeton në shtëpinë e gjyshes së tij, në Damask.

Kur ishte vetëm 2 vjeç, Azzami u diagnostikua me çrregullim të spektrit të autizmit. Nëna e tij, Abeer Essa, thotë se ishte një kohë e vështirë për të pasi edhe motra e madhe e Azzamit ka të njëjtën diagnozë.

Në atë kohë, vetëm 2 vjeç, Azzami arriti të mësojë përmendësh Kuranin.

Me ndihmën e një specialisteje, që tani e trajton Azzamin dhe motrën e tij, ai mund të zgjidhë shumë probleme matematikore dhe të mësojë shumë gjuhë të tjera, vetëm duke parë video në Youtube.

“Ai mësoi gjithçka nga YouTube pasi ka një memorie të fortë vizuale. Ai e shikon videon dy ose tre herë dhe është në gjendje ta kujtojë. Nëse i pëlqen videoja kaq shumë, do t’i duhej ta shikonte vetëm një herë. Tani ai po mëson disa gjuhë. Ai studion shkronjat, fjalët dhe gjithçka që lidhet me një gjuhë”, thotë Abeer Essa, nëna e djalit 5-vjeçar.

Specialistja që e ndihmon thotë se djali 5-vjeçar ka aftësi të jashtëzakonshme, por ka nevojë për mbështetje për të zhvilluar aftësitë e tij.

“Ai është një gjeni dhe madje në të ardhmen do të vazhdojë të përmirësohet dhe nuk do të mbetet në këtë fazë. Mozarti për shembull shkëlqeu në muzikë. Fëmijët e talentuar, zakonisht gëzojnë një memorie vizuale shumë të fortë dhe kanë shumë aftësi”, thotë Majd Alousi.

Por familja e 5-vjeçarit ndodhet në vështirësi financiare dhe e ka të vështirë t’i ofrojë një tabelë të vogël ku mund të shkruajë, apo një telefon celular ku të shikojë videot në Youtube.

Fëmijë si Azzami mund të regjistrohen në shkolla speciale shtetërore vetëm në klasat e para. Ata që dëshirojnë të vazhdojnë më tej arsimin e tyre u kërkohet të regjistrohen në shkolla private, të cilat kushtojnë shumë. Por nëna e Azzamit nuk i humbet shpresat.

“Unë ëndërroj ta shikoj atë duke më bërë krenar. Ndjej se Sari do të jetë një gjeni, bota dhe njerëzimi do të përfitojnë nga ai. Por ai ka nevojë për shumë përpjekje dhe vëmendje të veçantë”, thotë nëna e 5-vjeçarit.

XS
SM
MD
LG