Lidhje

Gjokoviç mbyllet në një dhomë të ruajtur nga policia pasi mbërrin në Australi


Novak Gjokoviç po mbahet në një dhomë të ruajtur nga policia pas mbërritjes në Melburn për Australian Open, tha babai i tij të mërkurën mes njoftimeve se një ngatërresë me vizat mund të rrezikojë hyrjen e tij në vend.

Gjokovic mori një autorizim mjekësor për të luajtur në turneun e parë të tenisit Grand Slam të sezonit, ku ai është nëntë herë fitues dhe kampion në fuqi. Autorizimi i jep atij mundësi të luajë pavarësisht nga statusi i tij i vaksinimit për COVID-19, diçka që ai nuk e ka bërë publik, por ai gjithashtu duhet të zbatojë rregulla të rrepta për të hyrë në vend.

"Novak është aktualisht në një dhomë ku nuk lejohet të hyjë askush," tha babai i zotit Gjokoviç, Srdjan Gjokovic, për portalin B92. "Para dhomës janë dy policë."

Gazeta Age e Melburnit njoftoi se zoti Gjokoviç kishte mbërritur të mërkurën para mesnatës me orën lokale në aeroportin Tullamarine, por hyrja e tij u vonua për shkak të një gabimi në aplikimin e tij për vizë.

Spekulimet për një çështje të mundshme me vizën u shfaqën ndërsa Gjokoviç ishte në tranzit dhe u përshkallëzuan me mesazhe të përziera nga ligjvënësit federalë dhe shtetërorë.

Njoftimi nga vetë Gjokoviç në mediat sociale se po shkonte në Australi, për të konkurruar për titullin e 21-të të madh rekord, ndezi debate dhe mbulim të gjerë në media, me kritikë që shtrojnë pyetjen se çfarë argumenti mund të kishte për përjashtimin nga rregullat, ndërsa përkrahësit e tij thanë se ai ka të drejtën e privatësisë dhe lirinë e zgjedhjes.

Drejtori i turneut Australian Open, Craig Tiley mbrojti "aplikimin dhe procesin plotësisht legjitim" dhe këmbënguli se nuk kishte trajtim të veçantë për Gjokoviçin.

Sipas rregullave të qeverisë së shtetit Viktoria, vetëm lojtarët, stafi, tifozët dhe zyrtarët plotësisht të vaksinuar mund të hynin në Parkun e Melburnit ku fillon turneu më 17 janar.

Vetëm 26 persona aplikuan për një përjashtim mjekësor dhe, siç tha zoti Tiley, vetëm një numri shumë të vogël iu lejua ky përjashtim.

Zoti Tiley vuri në dukje se Gjokoviç nuk është i detyruar të zbulojë arsyen e tij për të kërkuar një përjashtim.

Por ai shtoi se do të ishte "e dobishme" nëse Gjokoviç ia shpjegonte arsyet publikut të Melburnit që ende po vuan pasojat e bllokimeve dhe kufizimeve të udhëtimit të vendosura në kulmin e pandemisë.

Gjokoviç rezultoi pozitiv për koronavirusin në vitin 2020 pasi luajti në një sërë lojrash që ai organizoi në Serbi dhe Kroaci pa distancim fizik në mes të pandemisë.

XS
SM
MD
LG