Lidhje

Zjarri në Nju Jork, nga më vdekjeprurësit në qytet në tre dekada


Një zjarr në një kompleks apartamentesh në Bronks të Nju Jorkut që shkaktoi vdekjen e 17 vetëve njerëz, përfshirë tetë fëmijë, u shkaktua nga një ngrohës elektrik në një prej apartamenteve. Zjarri i së dielës, ishte njëri nga më vdekjeprurësit në qytetin e Nju Jorkut në tre dekada. Më parë u njoftua për 19 të vrarë, në mesin e tyre 9 fëmijë, por kryebashkiaku i Nju Jorkut, Eric Adams të hënën bëri një korrigjim, duke thënë se tani numri i viktimave të zjarrit në Bronks është 17.

Autoritetet e qytetit të Nju Jorkut thanë se zjarri që përfshiu katin e dytë dhe të tretë të pallatit me 19 kate u shkaktua nga një ngrohës elektrik portativ.

Zjarri në Nju Jork, nga më vdekjeprurësit në qytet në tre dekada
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:46 0:00


“Zjarri filloi nga një ngrohës elektrik portativ që pësoi një defekt. Ky ishte shkaku i zjarrit. Zjarri dogji dhomën ku ndodhej ngrohësi elektrik dhe më pas u përhap në apartamentin që shtrihej në dy kate, si edhe korridorin e ndërtesës. Dera e apartamentit për fat të keq, kur banorët u larguan, mbeti e hapur, ajo nuk u mbyll vetvetiu. Tymi u përhap në të gjithë ndërtesën, duke shkaktuar vdekjen e kaq shumë njerëzve dhe shtrimin e shumë të tjerëve në spitalet e Bronksit”, tha komisionieri i Departamentit të Zjarrfikësve të Nju Jorkut, Dan Nigro.

Zoti Nigro tha se po vazhdojnë hetimet për të kuptuar se si tymi u përhap në të gjithë ndërtesën dhe hollësitë e tjera mbi zjarrin.

Disa banorë, të bllokuar në banesat e tyre, thyen xhamat e dritareve për marrë ajër dhe vendosën peshqirë të lagur poshtë dyerve për të ndalur hyrjen e tymit. Një burrë, i shpëtuar nga zjarrfikësit tha se ishte mësuar me alarmet e shpeshta false dhe fillimisht nuk mendoi se situata ishte serioze.

“Ishte e frikshme. Isha më shumë e shqetësuar për familjen time se sa për veten”, tha Winter Thomas, e cila së bashku me familjen arriti të largohej nga kati i nëntë i ndërtesës së djegur.

Ajo thotë se ndërtesa nuk ishte e pajisur me sistemin spërkatës kundër zjarreve.

Disa banorë "nuk mundën të shpëtonin për shkak të vëllimit të tymit", tha Komisioneri i Departamentit të Zjarrfikësve, Dan Nigro.

Stefan Ringel, një këshilltar i lartë i kryebashkiakut Eric Adams, tha se fëmijët që humbën jetën nga zjarri ishin 16 vjeç ose më të vegjël. Shumë nga banorët e ndërtesës ishin me origjinë nga vendet e Afrikës Perëndimore si Gambia, tha kryebashkiaku Adams, dhe kishte një komunitet të madh mysliman.

Rreth 200 zjarrfikës shkuan në vendin e ngjarjes të dielën rreth orës 11 për të shpëtuar banorët e bllokuar dhe për të shuajtur zjarrin.

Udhëheqësi i shumicës në Senat, demokrati nga Nju Jorku Chuck Schumer, falënderoi zjarrfikësit në konferencën për shtyp.

"Ata gjithmonë nxitojnë drejt rrezikut. Ata nuk shqetësohen për veten e tyre, ata thjesht ndihmojnë të tjerët", tha senatori Schumer.

Ky është numri më i lartë i viktimave nga zjarri në qytetin e Nju Jorkut që nga viti 1990, kur po në Bronks nga zjarri në lokalin “Happy Land” humbën jetën 87 njerëz.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG