Lidhje

Shtëpia e Bardhë, thirrje për vazhdimin e masave për frenimin e përhapjes së variantit Omicron


Ekipi i Shtëpisë së Bardhë për reagimin ndaj COVID-19 u bëri thirrje përsëri amerikanëve të mërkurën që të zbatojnë masat për frenimin e përhapjes së variantit të Omicronit pavarësisht se simptomat e tij janë të lehta dhe njoftoi përpjekje të reja për të mbajtur hapur shkollat.

Ndërsa varianti Omicron i koronavirusit po përhapet në të gjithë Shtetet e Bashkuara, Dr. Rochelle Walensky theksoi se mbajtja e maskës, vaksinimi dhe testimet për COVID-19 kur është e nevojshme, janë strategjitë më të mira për të ndihmuar në uljen e numrit të infeksioneve.

Dr. Rochelle Walensky
Dr. Rochelle Walensky

Dr. Walensky, drejtore e Qendrave amerikane të Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve, tha se 98% e rasteve të reja me COVID-19 në Shtetet e Bashkuara tani janë infeksione me variantin ngjitës Omicron. Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, më herët këtë javë, Shtetet e Bashkuara arritën rekord të ri në numrin e infeksioneve ditore, duke regjistruar afro 1.5 milionë raste të reja brenda 24 orëve.

"Të gjithë ne duhet të japim kontributin tonë për të mbrojtur spitalet dhe fqinjët tanë dhe për të zvogëluar përhapjen e mëtejshme të këtij virusi", tha zonja Walensky.

Ekipi i Shtëpisë së Bardhë njoftoi gjithashtu se administrata e Presidentit Biden do të shpërndajë 10 milionë teste të koronavirusut në shkollat në të gjithë vendin çdo muaj për t’u siguruar që ato të mbeten të hapura, më shumë se dyfishi i sasisë së testeve të shpërndara vitin e kaluar.
Edhe pse varianti Omicron është shumë më ngjitës, ai vazhdon të shkaktojë simptoma më të lehta se varianti delta, dhe një rrezik më të ulët të shtrimeve në spital dhe vdekjeve.

Dr. Walensky, duke cituar një studim të kohëve të fundit që krahason dy variantet, tha se infeksionet me Omicron shoqërohen me një reduktim prej 91% të rrezikut të vdekjes dhe një reduktim prej 74% të rrezikut të shtrimit në urgjencë krahasuar me variantin Delta.

Ajo tha gjithashtu se infeksionet me variantin Omicron kanë një rrezik 53% më të ulët të shtrimit në spital për shkak të simptomave të rënda.

Rritja e shtrimeve në spital

Ndërsa rreziku i shtrimit në spital mbetet i ulët, "rritja befasuese e rasteve" të COVID-19 ka rritur edhe numrin e shtrimeve në spital, theksoi Dr. Walensky.

Megjithatë, tha ajo, pacientët e infektuar me variantin Omicron në 71% të rasteve po përjetojnë qëndrime më të shkurtëra në spital sesa personat e infektuar me variantin delta.

Mesatarisht, pacientët me Omicron shtrohen në spital për rreth 1.5 ditë dhe 90% e tyre dalin nga spitali pas tre ose më pak ditësh.

Ndërsa rritja infeksioneve vazhdon, Dr. Walensky përsëriti se rastet me variantin Omikron pritet të arrijnë kulmin në javët e ardhshme. Ajo tha se edhe numri i vdekjeve është rritur, me më shumë se 2,600 vdekje nga koronavirusit të raportuara nga John Hopkins të mërkurën.

Dr. Anthony Fauci, eksperti kryesor i sëmundjeve infektive në Shtetet e Bashkuara, tha se vendi nuk do të jetë në gjendje të eliminojë ose zhdukë COVID-19, por "në fund do ta vendos atë nën kontroll". Ndërsa virusi bëhet endemik, ka të ngjarë që "praktikisht në fund të gjithë të ekspozohen dhe ka shanse të infektohen", tha ai. Megjithatë, shtoi ai, kjo nuk do të thotë se vaksinimi apo masat parandaluese janë të paefektshme apo të pakuptimta. Dr. Fauci sqaroi se vaksinimi dhe marrja e dozave përforcuese do të parandalojë sëmurjet e rënda.

Dr. Anthony Fauci
Dr. Anthony Fauci

"Nëse jeni të vaksinuar dhe nëse jeni të moshës madhore, shanset që të sëmureni (rëndë) janë shumë, shumë të vogla", tha Dr. Fauci.

Për të ndihmuar në luftimin e rritjes aktuale të rasteve, ekipi i Shtëpisë së Bardhë për përgjigjen ndaj pandemisë së koronavirusit theksoi se përpjekjet parandaluese mbeten kritike, duke përfshirë vënien e maskës. Ndërsa maskat N95 janë treguar të jenë më efektive ndaj transmetimit të virusit nga ajri, CDC ende rekomandon që, për momentin, njerëzit të zgjedhin një maskë të përshtatshme për veten e tyre dhe se është mirë të mbahet një maskë e përshtatshme sesa ajo të mos mbahet fare.

“Ne duam të theksojmë se maska më e mirë për ju është ajo që është e përshtatshme për ju”, tha Dr. Walensky.

Jeffrey D. Zients, koordinatori i përgjigjes ndaj pandemisë së COVID-19 në Shtëpinë e Bardhë, u pyet për gjendjen me maskat dhe tha se administrata "po shqyrton seriozisht opsionet për të vënë në dispozicion maska të cilësisë së lartë për të gjithë amerikanët".

Sa i përket shkollave, ekipi tha se, së bashku me rritjen e testimeve, vaksinimi dhe masat e tjera parandaluese janë kyçe për të mbajtur nxënësit në shkollë.

Dr. Walensky tha se, duke marrë parasysh që tani vaksinat për shumicën e fëmijëve janë të disponueshme, shkollat duhet të jenë në gjendje të vazhdojnë të funksionojnë siç është planifikuar. Ajo gjithashtu u kujtoi gazetarëve se 99% e shkollave ishin të hapura në vjeshtë gjatë një vale të madhe të rasteve me variantin delta.

"Një nga gjërat më të mira që mund të bëjmë është të vaksinojmë fëmijët dhe adoleshentët tanë", tha ajo.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG