Lidhje

Investimet kineze në portin e Pireut


Qytetarët grekë kanë mendime të ndryshme për zgjerimn e sferës së influencës dhe shtrirjen e investimeve ekonomike të Kinës në Evropë. Disa prej tyre e vlerësojnë pozitivisht një gjë të tillë, ndërsa të tjerë shprehin shqetësim. Gazetari i Zërit të Amerikës në Athinë, Laurent Laughlin njofton nga porti i Pireut.

Që kur kompania kineze e transportit “Cosco” mori në kontroll menaxhimin e portit të Pireut, më i madhi në Greqi, kapaciteti në terminalin e kontejnerëve të portit është pesëfishuar dhe po krijohen vende të reja pune. Por disa punëtorë thonë se nuk po i shohin përfitimet.

Pronari grek i anijeve Nicolas Vernicos është një nga ata që e sheh situatën me pozitivitet. Ai thotë se ajo që po ndodh është e mirë për biznesin.

“Investimi që është bërë nga kompania kineze Cosco në kompaninë administruese të portit të Pireut është shumë pozitiv për Greqinë”.

Por Konstantinos Spiropulos, nënkryetar i një sindikate në port, thotë se pjesa më e madhe e investimit të ri ka shkuar në sektorin e kontejnerëve, duke lënë pas sektorin e riparimit të anijeve, ku ai punon.

Ndër shqetësimet e tij: Në sektorin e tij, 200 burra duhet të ndajnë një tualet të vetëm. "Pra, të gjithë djemtë që punojnë në anije si ekuipazh dhe si riparues, duhet të ndajnë këtë tualet dhe të pastrojnë duart - në kushtet e COVID-it."

Kompania kineze e transportit Cosco tani zotëron 67% të portit. Në vitin 2016, ambasadori kinez në Greqi tha se Pireu ishte një “lidhje kyçe e nismës ‘Një Brez Një Rrugë’”. Ai foli gjithashtu për potencialin e Greqisë për t'u bërë një qendër transporti në këtë pjesë të Mesdheut.

Sipas një kontrate të nënshkruar atë vit, kompania Cosco u zotua të blinte 51% të aksioneve në port menjëherë dhe 16% të tjera pas pesë vjetësh. Gjithashtu ajo u zotua të investojë 294 milionë euro në port. Por zotimi nuk u përmbush brenda periudhës pesëvjeçare, thotë Vasilis Kanakakis, president i një sindikate të kantierëve detarë.

“Në vend që t’u vinim gjobën, u dhamë 16% aksione shtesë dhe zgjatje për pesë vjet për zbatim. Kjo është katastrofike sepse nëse ky vend qëndron kështu për 10 vjet të tjera, askush nga ne nuk do të jetë më këtu”.

“Ky është një nga problemet kur bëhesh i varur nga Kina. Mendoj se Kina e ka ndihmuar Greqinë me përmirësimin e portit të Pireut. Por nëse je i pakënaqur me praninë kineze për çfarëdo arsye, tani je i bllokuar, sepse kush tjetër do të ndërhyjë, do ta marrë atë port dhe ta operojë atë ashtu siç kanë bërë kinezët – askush”, thotë Derek Scissors me Insitutin American Enterprise.

Cosco nuk iu përgjigj kërkesave të Zërit të Amerikës për koment.

Nicolas Vernicos, i cili është gjithashtu president i Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë, thotë se prania kineze i sjell përfitim vendit të tij, veçanërisht duke marrë parasysh daljen e fundit të Greqisë nga një krizë financiare dhjetëvjeçare.

“Pireu është porti me rritjen më të shpejtë në botë. Gjithnjë e më shumë anije mallrash vizitojnë Pireun”, thotë ai.

Kryetari i Autoritetit Portual të Pireut Yu Zeng Gang thotë se do të krijohen mijëra vende pune për të mbështetur portin dhe komunitetin përreth tij.

Por Vassilis Kanakakis vë në pikëpyetje cilësinë e vendeve të punës në port.

"Janë krijuar punë të përkohshme dhe me paga të ulëta."

Ndërsa disa punonjës së portit shqetësohen për pagat dhe kushtet e punës, të tjerët në port po shpresojnë tek biznesi që do të sjellin pronarët kinezë.

XS
SM
MD
LG