Lidhje

Policia ndaloi futjen në Kosovë të fletëvotimeve për referendumin e Serbisë


Vendkalimi kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë - ilustrim

Policia e Kosovës tha të shtunën se ndaloi në vendkalimin kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dy kamionë me fletëvotimet për referendumin e Serbisë për ndryshimet në gjyqësorin e saj, që pritet të mbahet të dielën.

“Bazuar në informacionet zyrtare, detyrat dhe autorizimet policore, është ndaluar hyrja në Republikën e Kosovës e e këtij materiali i cili po transportohej pa leje përkatëse”, thuhet në një njoftim të policisë e cila theksoi se kamionët u janë dorëzuar të premten mbrëma autoriteteve doganore.

Gjashtë persona janë intervistuar dhe më pas janë kthyer mbrapa në Serbi, thuhet në njoftimin e policisë.

Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë tha se i ka njoftuar autoritetet ndërkombëtare lidhur me këtë cështje, ndërsa kritikoi Misionin e Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë që “nuk mori përsipër materialin e referendumit, por as nuk është paraqitur në Merdarë, ku është dashur ta marrë materialin, siç është bërë çdo herë deri më tani në proceset e mëparshme zgjedhore”.

Institucionet e Kosovës thanë të premten se nuk do të lejojnë mbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovë, sepse kjo do të ishte shkelje e kushtetutës dhe ligjeve të vendit, por u shprehën të gatshëm të mundësojnë votimin e serbeve të Kosovës përmes postës apo zyrës ndërlidhëse të Serbisë në Prishtinë.

Diplomatët e Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Evropian shprehën keqardhjen që “qeveria e Kosovës nuk ka lejuar Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë të grumbullojë fletëvotimet e votuesve me të drejtë vote që jetojnë në Kosovë për referendumin e ardhshëm, në përputhje me praktikën e kaluar". Ata u takuan me udhëheqësit më të lartë të Kosovës duke u bërë thirrje që të lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhje dhe procese zgjedhore në përputhje me këtë praktikë të vendosur”, duke ju referuar praktikës së mëhershme të grumbullimit të votave për zgjedhjet e Serbisë nga misioni i OSBE-së.

Të dielën me 16 janar, Serbia mban një referendum për ndryshimet kushtetuese që kanë të bëjnë me gjyqësorin dhe Beogradi ka paralajmëruar pasoja afatgjata nëse Prishtina nuk lejon mbajtjen e tij në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë.

I gjetur nën trysninë ndërkombëtare, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, thirri një mbledhje të jashtëzakonshme të parlamentin për të shtunën pasdite për të debatuar mbi këtë çështje.

Mbajtja e referendumit të Serbisë në Kosovë është kundërshtuar edhe nga partitë opozitare.

Kosova, nuk e ka penguar pjesëmarrjen e serbëve lokal në zgjedhjet e Serbisë, por autoritetet thonë se ka dallim ndërmjet zgjedhjeve dhe çështjeve të brendshme të një vendi, siç është referendumi i së dielës në Serbi.

XS
SM
MD
LG