Lidhje

Ukraina dyshon se një grup i lidhur me zbulimin bjellorus ndërmori sulmin kibernetik


Autoritetet në Kiev besojnë se një grup hakerësh, i lidhur me zbulimin bjellorus ka kryer një sulm kibernetik që goditi faqet e internetit të qeverisë ukrainase këtë javë. Një zyrtar i lartë i sigurisë tha se hakerët kishin përdorur programe të ngjashme me ato të përdorura nga një grup i lidhur me zbulimin rus.

Zëvendës sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare e Mbrojtjes Serhiy Demedyuk tha për agjencinë 'Reuters' se Ukraina fajëson për sulmin e së premtes, i cili u shoqërua me mesazhe kërcënuese, një grup të njohur si 'UNC1151'. Sipas tij sulmi ishte “maskim për veprime më të forta në prapaskenë”.

Komentet e tij ofrojnë analizën e parë të detajuar nga Kievi mbi fajtorët e dyshuar mbi sulmin kibernetik ndaj dhjetëra faqeve në internet. Zyrtarët hodhën dyshime të premten rreth përfshirjes së Rusisë, por pa dhënë detaje. Bjellorusia është një aleat i ngushtë i Moskës.

Gjatë sulmit kibernetik në faqet e internetit u shfaqen paralajmërime si: "frikësohuni e përgatituni për më të keqen", në një kohë kur Rusia ka vendosur një prani të madhe trupash ushtarakë pranë kufijve të Ukrainës. Kievi dhe Uashingtoni druhen se Moska po planifikon një sulm të ri ushtarak ndaj Ukrainës. Rusia i ka quajtur ato pretendime të pabaza.

Zyra e Presidentit bjellorus Aleksandër Lukashenko nuk i është përgjigjur ende një kërkese për komente lidhur me pohimet e zotit Demedyuk, po kështu edhe Ministria e Jashtme ruse. Moska ka mohuar më parë përfshirjen në sulme kibernetike, edhe atyre të ndërmarra ndaj Ukrainës.

“Sulmi kibernetik ishte vetëm një mbulesë për veprime më ashpra që po ndodhin në prapaskenë, pasojat e të cilave do t'i ndjejmë në të ardhmen e afërt”, tha zoti Demedyuk në komentet e tij me shkrim.

Duke iu referuar grupit 'UNC1151', ai tha: se ai është një grup spiunazhi kibernetik, i lidhur me shërbimet speciale të Bjellorusisë".

Në ndjekje të gjurmëve

Zoti Demedyuk, i cili dikur ka shërbyer në detyrën e kreut të policisë kibernetike të Ukrainës, tha se grupi ishte i njohur për sulme ndaj Lituanisë, Letonisë, Polonisë dhe Ukrainës dhe kishte përhapur komente që dënonin praninë e aleancës së NATO-s në Evropë.

"Programet me viruse të përdorura për të çkoduar disa servera qeveritarë është shumë i ngjashëm në karakteristika, me ato të përdorura nga grupi ‘ATP-29”, tha ai, duke iu referuar një grupi të dyshuar për përfshirje në hakerimin e Komitetit Kombëtar Demokrat, përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016 në SHBA.

"Grupi është i specializuar në spiunazhin kibernetik, dhe i lidhur me shërbimet speciale ruse. Për sulmet e tij, ai përdor rekrutimin apo spiunazhin e fshehtë të brendshëm në kompaninë e duhura", tha zoti Demedyuk.

Mesazhet e lëna në faqet e internetit të qeverisë së Ukrainës të premten ishin në tre gjuhë: atë ukrainase, ruse e polake. Mesazhet i referoheshin Volhinisë dhe Galicisë Lindore, ku janë kryer vrasje masive, nga Ushtria kryengritëse e Ukrainës, gjatë kohës kur Polonia ishte e pushtuar nga Gjermania naziste. Ngjarja mbetet një pikë përplasjesh mes Polonisë dhe Ukrainës.

Zoti Demedyuk sugjeroi se hakerat për të mesazhet në polonisht kishin përdorur ‘Google Translate’.

Është e qartë se ata nuk ia dolën të mashtrojnë askënd me këto metoda primitive, por gjithsesi kjo është dëshmi se sulmuesit u përpoqën të ‘luajnë’ me marrëdhëniet polake-ukrainase, të cilat po forcohen çdo ditë e më shumë”, siç tha ai.

XS
SM
MD
LG