Lidhje

Kosovë: Dënim me kusht për pjesëmarrje në grup terrorist


Gjykata Themelore në Prishtinë, dënoi të mërkurën me dy vjet heqje lirie me kusht, një grua të akuzuar për veprën penale; “organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”.

Në një njoftim të gjykatës thuhet se “e akuzuara S.SH është shpallur fajtore dhe është dënuar me dënim me kusht në kohëzgjatje prej dy vitesh dhe ky dënim nuk do të ekzekutohet, nëse e akuzuara brenda afatit të verifikimit prej tre vitesh nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi nuk kryen vepër tjetër penale”.

Në njoftim thuhet se “e akuzuara S.SH. është urdhëruar nga gjykata që të përmbushë detyrimin – vizitë tek psikologu ose tek këshilluesit tjerë dhe veprimet në pajtim me rekomandimet e tyre, në kohëzgjatje prej 2 vitesh, nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi”.

E dënuara ka qëndruar në arrest shtëpie nga data 17 korrik deri më 16 gusht të vitit 2021.

Në muajin dhjetor ajo ishte akuzuar nga Prokuroria e Posaçme e Kosovës se “me paramendim, me dashje dhe duke bërë përgatitje paraprake me qëllim që t’i bashkëngjitet organizatës terroriste ‘’ISIS’’ ka udhëtuar së bashku me bashkëshortin e saj, shtetas turk, nga Gjermania për në Turqi dhe, më pastaj, përmes lidhjeve të caktuara ka depërtuar në Siri, ku është angazhuar përmes ndihmës logjistike në organizatën terroriste ‘’ISIS’’.

Ajo ishte pjesë e të kthyerve nga Siria.

Në prill të vitit 2019, Kosova riatdhesoi 110 veta prej andej ndërsa në muajin korrik të viti 2021 janë kthyer edhe 11 të tjerë.

Autoritetet në Kosovës besojnë se rreth 90 veta ndodhen ende në Siri, mes tyre pak luftëtarë dhe më shumë gra dhe fëmijë.

XS
SM
MD
LG