Lidhje

Kosovë: Konfirmohen afër 3 mijë raste me COVID-19, shtrëngohen masat kufizuese


Qeveria e Kosovës vendosi të premten mbrëma forcimin e masave kufizuese për të frenuar zgjerimin e shkallës së infektimeve me COVID-19.

Nga e shtuna, 22 janar e deri më 4 shkurt, ndalohet lëvizja e qytetarëve nga ora 22:00 deri në orën 05:00 të mëngjesit, ndërsa kafenetë e restorantet do të punojnë deri në orën 21:00. Me masat e reja çdokush që hyn në Kosovë, duhet të jetë vaksinuar me tri doza vaksine apo me dy doza dhe të paraqesë një test negativ.

Kosovë: Konfirmohen afër 3 mijë raste me COVID-19, shtrëngohen masat kufizuese
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:01 0:00

Qeveria ka përcaktuar edhe mënyrën e funksionimit të institucioneve arsimore varësisht nga situata epidemiologjike.

Masat e reja pasuan rritjen e lartë të infektimeve për shkak të përhapjes së variantit të ri Omicron të COVID-19.

Autoritetet në Kosovë thanë sot se një person ka humbur jetën gjatë 24 orëve të fundit nga pasojat e COVID-19, ndërsa janë konfirmuar 2 mijë e 943 raste të reja të të prekurve nga koronavirusi.

Ministria e Shëndetësisë tha se numri i të infektuarve u konfirmua pas më shumë se 11 mijë e 500 testeve, ku pak më shumë se 25 për qind e të testuarve dolën pozitiv, një rritje kjo shumëfish më e lartë krahasuar me dy javë më parë kur pozitiviteti ishte rreth 3 për qind.

Një rritje e tillë e numrit të të infektuarve nuk është parë që nga muaji gusht i vitit të kaluar, kur Kosova u përball me situatën më të rëndë shëndetësore.

Nga data 1 janar e deri më sot janë regjistruar 13 mijë e 799 raste te reja, dhe këto raste sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë pothuajse të gjitha nga varianti Omicron i koronavirusit.

Nga një janari, shtatë veta kanë humbur jetën nga pasojat e sëmundjes, duke e çuar në 2 mijë 997 numrin e atyre që kanë humbur jetën që nga fillimi i pandemisë.

Ekspertët shëndetësorë kanë paralajmëruar për valën e re të infektimeve e cila sipas tyre tashmë ka filluar.

XS
SM
MD
LG