Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi me dy vjet e tetë muaj heqje lirie një person nën akuzat për “organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist”.
Gjykata nuk dha më shumë hollësi për të dënuarin që e identifikoi me nistoret K.D, që ndodhet në paraburgim që nga 17 korriku i vitit 2021.
Në dhjetor të vitit të shkuar, prokuroria e Posaçme akuzoi tashmë të dënuarin se “me dashje ka marrë pjesë në veprimtarinë e organizatës terroriste, në atë mënyrë që me bashkëshorten u është bashkangjitur luftëtarëve të organizatës terroriste, militante, ekstremiste “ISIS” duke marrë pjesë aktivisht në veprimtaritë e kësaj organizate si trajnues i snajperistëve”.
Më pas ai ishte arrestuar nga Forcat Demokratike Siriane dhe më 17 korrik të vitit 2021, është kthyer në Kosovë. Verën e kaluar 11 veta u kthyen nga Siria në Kosovë.
Në prill të vitit 2019, Kosova riatdhesoi 110 veta prej andej, ndërsa autoritetet besojnë se rreth 90 veta ndodhen ende në Siri, mes tyre pak luftëtarë dhe më shumë gra dhe fëmijë.