Lidhje

Rëndohet situata me COVID-19 në Kosovë - mbi 4 mijë raste në 24 orë


Autoritetet shëndetësore në Kosovë konfirmuan të mërkurën 4 mijë e 397 raste të reja të të prekurve nga COVID-19, numri më i lartë i regjistruar në një ditë që nga fillimi i pandemisë në mars të vitit 2020.

Rastet e reja u konfirmuan pas 16 mijë e 307 testimeve që i bie se afro 27 për qind e të testuarve dolën të infektuar.

Autoritete thanë se pothuajse të gjitha rastet e reja janë të prekur nga varianti Omicron i koronavirusit, i cili sipas studimeve është më ngjitës sesa variantet tjera, por duket se shkakton më pak probleme shëndetësore.

Nga e hëna qeveria vendosi masa kufizuese për të frenuar zgjerimin e shkallës së infektimeve dhe deri më 4 shkurt ndalohet lëvizja e qytetarëve nga ora 22:00 deri në orën 05:00 të mëngjesit, ndërsa kafenetë e restorantet do të punojnë deri në orën 21:00. Me masat e reja çdokush që hyn në Kosovë, duhet të jetë vaksinuar me tri doza vaksine apo me dy doza dhe të paraqesë një test negativ.

Masat u kritikuan nga opozita por edhe nga qytetarë të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, që përballen me vështirësi udhëtimi.

Autoritetet në Prishtinë po u bëjnë thirrje qytetarëve që të vaksinohen. Sipas ministrisë së Shëndetësisë mbi 830 mijë qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë, ndërsa 65 mijë kanë marrë një dozë përforcuese.

XS
SM
MD
LG