Lidhje

Suedi, projekt për dërgimin me dron të defibrilatorëve


Suedi, projekt për dërgimin e defibrilatorëve me dron
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:35 0:00

Në rast të një arresti të papritur kardiak, ekspertët thonë se reagimi i shpejtë është kritik për shpëtimin e jetës së pacientit. Një projekt në Suedi po eksploron përdorimin e dronëve për të dërguar defibrilatorë tek pacientët më shpejt se ambulancat ose shërbimet e tjera tradicionale të urgjencës. Dhjetorin e kaluar, ekipi që po merret me këtë projekt, tha se ndihmoi në shpëtimin e jetës së një burri 71-vjeçar.

Kompania suedeze Everdrone ka bashkëpunuar me studiues në Institutin Karolinska të Stokholmit dhe shërbimin e urgjencës që nga viti 2019, duke eksploruar përdorimin e dronëve për të ofruar defibrilatorë të automatizuar (AED) tek pacientët me arrest kardiak.

"Një sistem autonom që mund të fillojë menjëherë dhe nuk ka probleme me trafikun do të ishte shumë më i shpejtë se shërbimet aktuale të urgjencës. Makinat e urgjencës do të jenë të nevojshme për t'u kujdesur për pacientin, por do të ishte shumë e dobishme nëse ne mund ta dërgojmë defibrilatorin disa minuta më herët. Shanset e pacientit për të mbijetuar bien me afërsisht 10 përqind në minutë, kështu që çdo minutë dhe sekondë është shumë e rëndësishme për pacientin", thotë themeluesi i kompanisë Everdrone, Maciek Drejak.

Profesori i Institutit Karolinska, Andreas Claesson thotë se shërbimi i urgjencës mjekësore në Suedi merr raporte për rreth 6,000 arreste kardiake në vit, ku vetëm rreth dhjetë për qind e këtyre pacientëve mbijetojnë.

Ai thotë se rreth 70 për qind e arresteve kardiake jashtë spitalit ndodhin në shtëpi private, pa një defibrilator.

"Nëse është e mundur të përdoret një defibrilator brenda pesë minutave të para, rreth 50 përqind e të gjithë pacientëve mund të mbijetojnë. Pra, ne duhet të gjejmë metoda të reja për të ofruar defibrilator në minutat e para të një arresti kardiak", thotë zoti Claesson.

Procesi fillon si me çdo urgjencë tjetër, thirrjet në numrin 112 të urgjencës suedeze vijnë në një nga qendrat e lëshimit të alarmit për ndihmë, ku regjistrohen rreth 3.4 milionë telefonata në vit.

Nëse dyshohet për një arrest kardiak dhe pacienti ndodhet në zonën e provës, dërgohet një dron, së bashku me shërbimet tradicionale të urgjencës.

Mattias Regnell, kreu i novacionit në qendren “SOS Alarm” të Suedisë, thotë se sistemi i dronëve është i integruar elektronikisht me sistemin e dislokimit të urgjencës.

"Kur ata bëjnë shënimin në hartë, sistemi automatikisht e di se brenda kësaj zone, një dron duhet të dërgohet", shpjegon ai.

Gjatë një studimi që filloi në shkurt të vitit 2020, gjithsej 14 raste të dyshuara të arrestit kardiak u kualifikuan për dërgesën me dron. Prej tyre, dronët u dërguan në 12 raste dhe defibrilatorët u dërguan me sukses në 11 raste.

Në shumicën e rasteve gjatë studimit katër mujor, droni mbërriti në vendin e urgjencës mesatarisht rreth dy minuta më herët se ambulanca, por ekipi që është marrë me këtë projekt beson se me disa përmirësime të sistemit dronët mund të arrijnë 3 deri katër minuta më herët se makinat e urgjencës.

Dhjetorin e kaluar, projekti pati suksesin e tij të parë real, kur një dron luajti një rol të rëndësishëm në shpëtimin e jetës së një burri 71-vjeçar në qytetin suedez të Trollhatanit, rreth 75 kilometra në veri të Goteborgut.

Dr. Mustafa Ali ishte duke shkuar në punë kur pa një burr të rrëzuar në rrugë. Ai shpejt e kuptoi se kishte të bënte me arrest kardiak dhe thirri shërbimin e urgjencës.

"Pas rreth dy minutash dëgjova një zhurmë dhe kur ngrita sytë e kuptova se nuk ishte një helikopter por një dron. Fillimisht mendova se dikush po filmonte, por më pas dëgjova një person nga qendra e urgjencës që më thoshte këtu është defibrilatori, merreni atë", thotë Dr. Ali.

Kompania Everdrone thotë se koha midis alarmit të lëshuar nga qendra e urgjencës dhe dorëzimit të defibrilatorit ishte pak më shumë se tre minuta. Dr. Ali përdori defibrilatorin e dërguar nga droni deri në momentin kur erdhi automjeti i urgjencës. Pacienti mbijetoi.

Gjatë dorëzimit të defibrilatorit, droni zbret në rreth 30 metra lartësi dhe më pas e lëshon pajisjen.

Drejtuesit e projektit thonë se ky shërbim është më i përshtatshëm për zonat periferike, larg spitaleve të qendrës së qytetit, ku dronët mund të operojnë me lehtësi.

Sigurisht, fluturimet janë të kufizuara nga bateria dhe diapazoni. Kushtet jo të mira të motit, si shiu dhe era, mund të pengojnë gjithashtu disa fluturime. Një studim pasues filloi në prill të vitit 2021 dhe do të përfundojë këtë pranverë.

Ky shërbim aktualisht mund të jetë në dispozicion të 200,000 banorëve në Suedi dhe pritet të zgjerohet në më shumë vende evropiane këtë vit.

XS
SM
MD
LG