Lidhje

Pensilvani, Presidenti Biden thekson nevojën e përmirësimit të infrastrukturës


Joe Biden

Një urë në Pitsburg të Pensilvanisë, u shemb herët në mëngjesin e së së premtes, vetëm disa orë përpara vizitës së Presidentit Joe Biden në qytetin amerikan për të nënvizuar nevojën e përmirësimit të infrastrukturës së vjetëruar të vendit. Presidenti Biden gjithashtu bëri thirrje për miratimin në Kongres të projektligjit të tij për investimet në kujdesin shëndetësor, programet e tjera sociale dhe ndryshimet klimatike.

Pensilvani, Presidenti Biden thekson nevojën e përmirësimit të infrastrukturës
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:28 0:00

Menjëherë pasi mbërriti në Pitsburg të Pensilvanisë, Presidenti Joe Biden vizitoi urën Fern Hollow, e cila u shemb të premten në mëngjes, duke shkaktuar plagosjen e të paktën 10 personave.

“Ne do t'i rregullojmë të gjitha. Kjo nuk është shaka. Do të jetë një ndryshim gjigant”, tha Presidenti Biden.

Ura u shemb vetëm disa orë përpara vizitës së planifikuar të Presidentit Biden në qendrën kërkimore të Universitetit Carnegie Mellon në Pitsburg, për të nënvizuar nevojën e përmirësimit të infrastrukturës së vjetëruar të vendit, zgjidhjen e problemit të zinxhirit të furnizimit dhe rigjallërimin e prodhimit vendas.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dikur ishin në vendin e parë në botë për nga investimet në projektet e së ardhmes, tani ne renditemi në vendin e nëntë në fushën e kërkimit dhe zhvillimit. Kina radhitej e teta në këtë fushë tre dekada më parë, sot është e dyta”, tha Presidenti Biden.

Ligji i infrastrukturës prej 1.2 trilion dollarësh i Presidentit Biden u miratua në nëntor me mbështetjen dypartiake. 550 miliardë dollarë janë ndarë për investimet federale në infrastrukturë, që analistët thonë se janë shumë të nevojshme.

“Ne kemi patur disa dështime vërtet tragjike të infrastrukturës në të gjithë vendin, qofshin ato të urave, siç ndodhi në Pitsburg, apo sistemet e ujit. Kjo i tregon komunitetit global se sa mbrapa kemi mbetur”, thotë Andy Winkler nga Qendra e Politikave Dypartiake.

Sipas sondazhit të fundit të organizatës kërkimore Pew, vetëm 41% e amerikanëve mendojnë se Presidenti Biden po bën një punë të mirë, ndërsa vendi vazhdon të përballet me pasojat e pandemisë dhe inflacionin në rritje.

Çmimet e konsumit janë rritur, të nxitura nga kriza globale e zinxhirit të furnizimit, e shkaktuar nga kërkesat e paparashikueshme dhe mungesa e punëtorëve për shkak pandemisë.

Administrata ka ndarë 230 milionë dollarë për të përmirësuar infrastrukturën në portet e vendit dhe për të rekrutuar më shumë shoferë kamionësh.

“Shpresojmë se do të rrisim efikasitetin e porteve, do të përmirësojmë rrugët, hekurudhat dhe aspektet e tjera të infrastrukturës sonë. Por këto gjëra nuk do të na ndihmojnë në gjashtë muajt e ardhshëm”, thotë Panos Kouvelis, studiues në Universitetin e Uashingtonit në St. Louis.

Në Pitsburg, Presidenti Biden bëri gjithashtu thirrje për miratimin në Kongres të projektligjit të tij mbi investimet në kujdesin për fëmijët, programet e tjera sociale dhe ndryshimet klimatike, i cili aktualisht është i bllokuar në Senat.

XS
SM
MD
LG