Lidhje

Escobar: BE-ja duhet ta shohë Ballkanin Perëndimor si mundësi e jo si rrezik


I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha të hënën në Prishtinë se Bashkimi Evropian duhet ta shohë rajonin si mundësi dhe jo si rrezik, ndërsa theksoi se Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht pavarësinë, sovranitetin dhe tërësinë tokësore të Kosovës.

Zoti Escobar i bëri këto komente në ditën e parë të vizitës së tij bashkë me të dërguarin evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, në kundër të përpjekjeve për ripërtëritjen e bisedimeve ndërmjet të dyja palëve.

Të dy të dërguarit u takuan me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti dhe do të qëndrojnë deri të mërkurën në Prishtinë, prej nga pritet të shkojnë në Beograd.

Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht pavarësinë, sovranitetin dhe tërësinë tokësore të Kosovës. Ju keni dëshmuar që jeni partner i qëndrueshëm, mik i mirë dhe për këtë ju falënderojmë”, tha në një paraqitje të shkurtër para gazetarëve zoti Escobar.

Gabriel Escobar
Gabriel Escobar

Ai theksoi se Kosova dhe rajoni janë një mundësi e jashtëzakonshme me energji të jashtëzakonshme. “Ju jeni evropianë, ekonomikisht, kulturalisht dhe historikisht jeni evropianë dhe ne kemi punuar me kolegët tanë evropianë për t’u siguruar se ata e kuptojnë që Ballkani Perëndimor është një mundësi e jashtëzakonshme për ta dhe jo rrezik. Në këtë kuptim, ne inkurajojmë të gjitha palët që ta shohin Ballkanin Perëndimor si anëtar potencial të BE-së në të ardhmen, që të gjitha ata (vendet e rajonit) në paqe me njëri-tjetrin, që të gjithë produktivë dhe anëtarë të aftë, ashtu siç i kemi parë ne si partnerë dypalësh Shpresa kryesore për këtë është përmes dialogut”, tha zoti Escobar.

Ai ritheksoi mbështetjen amerikane që bisedimet duhet të udhëhiqen nga Bashkimi Evropian.

Miroslav Lajçak
Miroslav Lajçak

I dërguari i BE-së, Miroslav Lajak tha se vizita e përbashkët është për të dërguar mesazh të qartë se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara po punojnë dorë për dorë, ngushtë së bashku, “se ne ndajmë pikëpamjen tonë për Kosovën, për bisedimet për normalizim me Serbinë dhe për të ardhmen e rajonit. Dhe më vjen mirë që kjo vizitë tashmë ofroi mundësi për të diskutuar planet tona për javët dhe muajt e ardhshëm me zonjën presidente dhe kryeministrin. Do të vazhdojmë diskutimet tona dhe do të qëndrojmë këtu deri të mërkurën dhe jam i sigurt se kjo do të na ndihmojë të arrijmë një pasqyrë shumë të mirë për atë çfarë të presim në të ardhmen dhe si ta çojmë procesin tonë përpara”.

Takimi i fundit ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, është mbajtur në korrik të vitit 2021, pa ndonjë përparim dhe qëndrimet tërësisht të kundërta të palëve detyruan Bashkimin Evropian të heqë dorë në fund të vitit të kaluar nga përpjekjet për një takim të ri.

Mospajtimet më të thella kanë të bëjnë me asociacionin e komunave me shumicë serbe, meqë Beogradi ngul këmbë që kjo është çështja kryesore, ndërsa Prishtina kërkon që çështje tjera më të ngutshme si ndriçimi i fatit të personave të zhdukur, të hidhen në tryezë.

SHBA-ja dhe BE-ja u kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të zbatojnë marrëveshjet e arritura deri tani në Bruksel, ndërsa sa i përket asociacionit, Shtetet e Bashkuara kanë theksuar se ai “është vendim sovran që duhet ta marrë qeveria e Kosovës” dhe se “ka modele të cilat mund të funksionojnë” dhe kanë inkurajuar qeverinë e Kosovës që t’i shqyrtojë ato. Por, askush nga zyrtarët amerikanë nuk ka saktësuar se për çfarë modelesh bëhet fjalë, duke nxitur opinione të ndryshme se si mund të duket ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të hënën se qeveria e tij e mbështet dhe është e angazhuar në procesin e bisedimeve në Bruksel për dialogun parimor dhe të drejtpeshuar nga i cili duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve.

Albin Kurti
Albin Kurti

Ne jemi të vendosur që integriteti territorial, sovraniteti, funksionimi shtetëror, kushtetutshmëria dhe ligjshmëria, tërë kohën dhe kudo, të ngelen të pacenuara nga çfarëdo përpjekje e ndokujt. Unë jam kryeministër i të gjithë qytetarëve pa dallim, prandaj edhe jam i gatshëm që t’u përgjigjem të gjithave kërkesave dhe nevojave të qytetarëve të Kosovës edhe të qytetarëve serb, me ç’rast do të marrim praktikat më të mira aktuale edhe të Kosovës por edhe të BE-së por duke pasur në vëmendje edhe praktikat dhe mënyrat të cilat i zbaton Serbia, sepse nuk duhet të kemi askund qytetarë apo komunitetet që janë të privilegjuar e diku tjetër të diskriminuar”, tha kryeministri Kurti, duke shprehur përkushtimin ndaj bashkëpunimit rajonal.

Ne e mbështesim fuqishëm procesin e Berlinit dhe tregun e përbashkët rajonal dhe e ritheksova që integrimet evropiane dhe euro-atlantike, nuk kanë alternativë. Evropa është kontinenti ynë e BE-ja e NATO-ja janë fati ynë”, tha kryeministri Kurti, në paraqitjen e përbashkët me të dërguarit amerikan dhe evropian.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sipas një komunikate të zyrës së saj, u ka thënë të dërguarve se “shteti është i përkushtuar për dialog që ka në qendër njohjen reciproke”, e cila sipas saj, “nuk duhet të prekë sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Kosovës”.

Ajo citohet të ketë thënë se “Serbia po e bllokon përparimin në dialog nëpërmjet qasjes së saj jokonstruktive” dhe nuk ka zbatuar marrëveshjet e arritura në procesin e deritashëm të bisedimeve.

Kosova dhe Serbia janë përfshirë në bisedimet e lehtësuara nga Bashkimi Evropian që nga viti 2011, për arritjen e një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve, që është kusht për përparimin e tyre drejt integrimeve evropiane.

Serbia e cila kundërshton pavarësinë e Kosovës ka hapur disa kapituj të negociatave për anëtarësim në BE, ndërsa Kosova vazhdon të mbetet e fundit në proceset integruese dhe qytetarët e saj janë të vetmit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, që nuk mund të udhëtojnë pa viza në Evropën perëndimore.

XS
SM
MD
LG