Lidhje

Covid 19, shenja përmirësimi të situatës gjatë javës së fundit në Shqipëri


Spitali infektiv
Spitali infektiv

Në Shqipëri, situata e pandemisë Covid 19, shënoi një përmirësim gjatë javës së fundit, me një rënie të rasteve, dhe ulje po ashtu të numrit të viktimave. Të dhënat zyrtare të përpunuara nga Zëri i Amerikës, tregojnë se në vlerë absolute, shifrat e të infektuarve rishtazi ranë me 36.4 përqind, por në pjesën më të madhe kjo i dedikohet reduktimit me 27.8 përqind të testimeve. Këtë e dëshmon dhe fakti se pozitiviteti, raporti mes rasteve të reja dhe testimeve, regjistroi një ulje të moderuar, nga 30.7 përqind në javën pararendëse (18-24 janar) në 27.1 përqind.

Në total, sipas të dhënave të ministrisë së Shëndetësisë gjatë 7 ditëve të fundit, u identifikuan 9684 të prekur, ose mbi 5500 raste më pak. Në 24 orët e fundit, u regjistrua dhe numri më i ulët me 522 raste në 44 nga 61 bashkitë e vendit: 290 në Tiranë, 36 në Fier, 17 në Durrës, Lushnje, 14 në Vlorë, Gjirokastër, 12 në Sarandë, 9 në Devoll, 7 në Gramsh, Librazhd, Prrenjas, 6 në Delvinë, 5 në Mirditë, Kavajë, Tepelenë, Skrapar, Peqin, 4 në Kurbin, Mallakastër,Pogradec, Kuçovë, 3 në Fushë Arrëz, Kukës, Has, Tropojë, Lezhë, Kamëz, Libohovë, Kolonjë, Berat, 2 në Patos, Përmet, Memaliaj, Poliçan, 1 në Shkodër, Krujë, Vorë, Dibër, Mat, Divjakë, Selenicë, Himarë, Konispol, Dropull.

Po 24 orëve të fundit i takon dhe niveli më i ulët i testimeve, pak më shumë se 3 mijë të tilla. Gjatë gjithë javës, autoritetet kryen mbi 35 mijë tamponë, ose gati 14 mijë më pak se në javën parerendëse.

Në total, në të gjitha vendin numërohen 18.757 raste aktive ose mbi 4 mijë më pak se një javë më parë.

Një përmirësim u vu re dhe sa i përket numrit të viktimave, që zbriti në 34 nga 41 vdekje që ishin rregjistruar në periudhën 18-24 janar. Në 24 orët e fundit humbën jetën 4 qytetarë: dy nga Durrësi 73 dhe 87 vjeç, një qytetare nga Vlora 77 vjeç, dhe një qytetar nga nga Tirana 88 vjeç.

Situata në spitale pati ulje-ngritje. Ndërsa ditën e dielë kapi kuotën e 168 të shtruarve, në 24 orët e fundit ky numër ra në 130 pacientë, por me më shumë të sëmurë në terapi intensive. Sipas të dhënave zyrtare deri të hënën pasdite ishin 21 persona në gjendje kritike.

XS
SM
MD
LG