Lidhje

Johnson-Putin bisedë telefonike mes përpjekjeve për zgjidhjen e krizës mbi Ukrainën


Johnson-Putin

Kryeministri britanik Boris Johnson pritet të zhvillojë sot (të mërkurën) një bisedë telefonike me Presidentin rus Vladimir Putin. Një ditë më parë zoti Johnson tha se ai vazhdonte ende të besonte tek një zgjidhje diplomatike për krizën përgjatë kufirit Rusi-Ukrainë.

Gjatë një vizite në Kiev, zoti Johnson tha gjithashtu se grumbullimi i më shumë se 100,000 trupave ruse në kufi është "ndoshta demonstrimi më i madh i armiqësisë ndaj Ukrainës, i kohërave tona”.

Ai shprehu mbështetjen për të drejtën e Ukrainës për të vendosur vetë për qëndrimet e saj dhe tha se përgatitja e sanksioneve nga aleatët perëndimorë kundër Rusisë në rast se pushton Ukrainën nuk është një "shfaqje armiqësie ndaj Moskës por më tepër, një demonstrim i mbështetjes ndaj Kievit”.

Është jetike që Rusia të tërhiqet dhe të zgjedhë rrugën e diplomacisë dhe besoj se kjo është ende e mundur”, tha zoti Johnson.

Përpjekjet diplomatike për zgjidhjen e krizës do të vazhdojë të enjten me një vizitë të Presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan në Kiev, ai pritet të takohet me Presidentin Volodymyr Zelenskiy.

Këshilltari kryesor i zotit Erdogan, Ibrahim Kalin, zhvilloi një bisedë të martën me Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, Jake Sullivan.

Në një deklaratë të palës amerikane thuhej se gjatë bisedës u theksua angazhimi i përbashkët për vazhdimin e diplomacisë sikurse përpjekjet e përbashkëta për të penguar agresionin e mëtejshëm rus kundër Ukrainës.

Të martën Presidenti rus Vladimir Putin tha se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj kanë injoruar kërkesat kryesore të Rusisë, që lidhen me pengimin e Ukrainës që të bëhet anëtare e NATO-s, si dhe tërheqjen e trupave të aleancës nga Evropa Lindore. Nga ana tjetër Uashingtoni përsëriti mbështetjen ndaj Ukrainës dhe integritetit të saj territorial.

Në komentet e tij të para publike, pas më shumë se një muaji, mbi ngërçin diplomatik të krijuar me Perëndimin mbi Ukrainën, zoti Putin tha se Kremlini po vazhdonte ende të shqyrtonte përgjigjen e SHBA-ve dhe NATO-s ndaj kërkesave ruse mbi sigurinë.

Perëndimi ka refuzuar të bllokojë përpjekjet e Kievit për anëtarësim në NATO, duke thënë se asnjë vend i huaj nuk ka të drejtën e vetos mbi atë se cili i vend i përket aleancës ushtarake.

“Tashmë është e qartë se shqetësimet themelore ruse janë injoruar”, tha zoti Putin gjatë një konference për shtyp.

Por ai tha se megjithatë është e mundur të negociohet për t'i dhënë fund bllokimit nëse merren parasysh interesat e të gjitha palëve, përfshirë shqetësimet ruse mbi sigurinë.


“Shpresoj se përfundimisht do të gjejmë një zgjidhje, megjithëse e kuptojmë se nuk do të jetë e lehtë”, njoftoi agjencia Associated Press duke iu referuar deklaratave të zotit Putin.

Ndërkohë Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken theksoi mbështetjen e Uashingtonit ndaj Ukrainës në një telefonatë të martën me ministrin e Jashtëm rus Sergej Lavrov,


Departamenti i Shtetit njoftoi se zoti Blinken kërkoi nga Rusia të ulë menjëherë tensionet përgjatë krahut lindor të Ukrainës duke tërhequr trupat ushtarake.


Ai përsëriti gjithashtu se SHBA-të do të vendosin sanksione ekonomike të shpejta dhe të ashpra kundër Moskës, nëse ajo pushton Ukrainën.


Më vonë këtë muaj, sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin pritet të vizitojë Evropë për t'u takuar me aleatët e NATO-s.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës të martën sekretari i Shtypit i Pentagonit John Kirby tha se zoti Austin do të marrë pjesë në takimin e ministrave të mbrojtjes të NATO-s të organizuar nga Sekretari i Përgjithshëm i aleancës Jens Stoltenberg, më 16 dhe 17 shkurt.

XS
SM
MD
LG