Lidhje

Zgjatet afati i hetimit parlamentar për incineratorët


Incineratorët

Në Tiranë, hetimet parlamentare për aferën korruptive të incineratorëve do të vazhdojnë edhe 3 javë të tjera deri në fund të muajit shkurt.

Komisioni i Kuvendit për Rregulloren vendosi që hetimet të vazhdojnë, duke plotësuar kohën e humbur nga pushimet midis dy sesione parlamentare gjatë ndërrimit të viteve.

Vendimi i sotëm rrëzon qëndrimin e mëparshëm të deputetëve socialistë, sipas të cilëve, afati 3-mujor i Komisionit Hetimor të Inceneratorëve duhej të përfundonte më 28 janar.

Ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim, dhe drejtuesi i Misionit të BE-së në Shqipëri, ambasadori Luigi Soreca e mirëpritën vendimin e sotëm. Ambasadorja Kim tha se “Shtetet e Bashkuara do ta ndjekin nga afër këtë çështje".

Plani hetimor parashikon thirrjen si dëshmitarë për ngritjen e 3 incineratorëve me një kosto prej afro 430 milionë eurosh të 28 personave.

Mes tyre janë kryeministri Edi Rama, zëvëndës-kryeministri Arben Ahmetaj, ish ministrat Shkëlqim Cani, Damian Gjiknuri e Lefter Koka, përfaqësues të bashkive të Tiranës, Durrësit Elbasanit dhe Fierit, si dhe administratorë dhe ekspertë të mjedisit.

Krahas Kuvendit, hetime për aferën korruptive të incineratorëve po zhvillon edhe SPAK, Prokuroria e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit.

Deri tani për këtë çështje është arrestuar ish ministri i mjedisit, Lefter Koka, nën akuzat për shpërdorim detyre dhe marrje rryshfetesh.

XS
SM
MD
LG