Lidhje

Shkalla e lartë e inflacionit në Kosovë


Shkalla e lartë e inflacionit në Kosovë
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:31 0:00

Selim Krasniqi nga Prishtina merr një pension prej 170 eurosh. Ushqimet, shërbimet komunale si dhe energjia elektrike e uji, janë shpenzimet më të mëdha brenda muajit. Zoti Krasniqi thotë se me rritjen e çmimeve, rriten edhe vështitësitë për t’i përballuar ato me pensionin e tij të vogël.

“Ushqimi, pastaj rryma vjen, uji, mbeturinat, këto të gjitha të shtetit që duhet t’i paguajmë. E kemi vërejtur shumë, jo pak por shumë e madhe është rritja e çmimeve, kjo është në gjithë globin, por me këto rroga faktikisht nuk mundesh të ia dalësh, disa gjëra duhet t’i heqësh dhe ndoshta ia del”, thotë ai.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës çmimet janë rritur në një mesatare prej 6.7 për qind në muajin dhjetor 2021 krahasuar me dhjetorin e vitit 2020.

Ekspertët e ekonomisë thonë se shkalla e inflacionit është rrjedhojë e mospërputhjes së kërkesës me ofertën në treg; kur oferta është më e madhe se kërkesa – inflacioni bie, por kur oferta është më e vogël se kërkesa – inflacioni ngrihet.

Njohësi i çështjeve ekonomike, Lekë Musa, tha në një bisedë me Zërin e Amerikës se lirimi i masave kundër pandemisë COVID-19 në vitin 2021, shtoi në masë të madhe kërkesën në treg meqë u shpenzuan më shumë para që ishin kursyer gjatë vitit 2020, kur veprimtaritë ekonomike ishin të mbyllura për shkak të pandemisë.

“Ndikimi i pandemisë në inflacion ka qenë kryesisht për shkak të vitit 2020 kur kemi pasur një tkurrje të ekonomisë në aspekt global dhe në Kosovë. Pastaj në vitin 2021 për shkak të lehtësimit të masave dhe të zbutjes së efekteve të pandemisë kishim një ndikim maksimal të parave të cilat janë ruajtur mund të themi gjatë tkurrjes së vitit 2020”, thotë ai.

Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, thotë se ndryshimet e tilla në tregun global ndikojnë edhe më shumë në vendet e varura nga importet, siç është Kosova.

“Duke e ditur bilancin tonë tregtar, duke e ditur që importojmë një pjesë të konsiderueshme të mallrave e bashkë me këto mallra kemi importuar edhe çmimet e ngritura. Industria jonë vendore po ashtu është prekur për shkak se një pjesë e konsiderueshme e lëndëve të para që përdoren në proceset përpunuese e prodhuese në vendin tonë importohen nga jashtë”, thotë ai.

Zoti Zeka thotë se rritja e shkallës së inflacionit kundrejt shkallës së pandryshuar të pagave në Kosovë, ulë në masë të madhe fuqinë blerëse dhe thellon varfërinë në vend.

“Besoj që hapi më i parë që do të duhej ta shihnim është ngritja në mënyrë proporcionale e pagave brenda sektorit publik por edhe atij privat ku janë të punësuar numri më i madh i njerëzve dhe ky do të ishte ndoshta reagimi më i drejtë dhe më i shpejtë i mundur në këtë situatë aktuale me të cilën ballafaqohemi”, thotë ai.

Zoti Musa, thotë se rritja e pagave rrezikon të thellojë inflacionin meqë e rrit edhe më shumë kërkesën në treg. Sipas tij, qeveria, në mungesë të mekanizmave të tjerë, duhet të veprojë me politika të tërthorta, siç është mbështetja e prodhuesve vendas.

“Qeveria e Kosovës duhet të mendojë në aspekt afatgjatë që të rrisë konkurrueshmërinë e prodhuesve vendorë dhe duke e bërë këtë ne mund të kemi zëvendësim të importeve dhe duke e rritur konkurrueshmërinë atëherë mund të vie deri të ulja e cmimeve”, thotë ai.

Sipas parashikimeve nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, rritja e inflacionit pritet të vazhdojë më gjatë se sa ishte parashikuar në fund të vitit të kaluar nga ky institucion, për shkak të cmimit në rritje të energjisë si dhe shpërthimit të variantit Omicron të koronavirusit, masat kundër të cilit vazhdojnë të pengojnë lëvizjen e lirë.

XS
SM
MD
LG