Lidhje

Shqipëri, ndryshimet kushtetuese për Vettingun miratohen me 118 vota


Parlamenti shqiptar miraton ndryshimet kushtetuese per Vettingun
Parlamenti shqiptar miraton ndryshimet kushtetuese per Vettingun

Në Shqipëri parlamenti votoi me një shumicë dërrmuese votash (118 në favor dhe 4 abstenime) ndryshimet kushtetuese, që lejojnë zgjatjen e mandatit të disa institucioneve të Vettingut, Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) dhe Komisionerëve publikë. Këto ndryshime ishin propozuar nga shumica socialiste, dhe për miratimin e tyre nevojiteshin të paktën 94 vota (dy të tretat e parlamentit), gjë e cila u bë e mundur pas vendimit që mori sot Partia Demokratike e drejtuar nga zoti Lulzim Basha, për të mbështetur zgjatjen e afatit të ushtrimit të veprimtarisë së institucioneve të Vettingut deri në fund të vitit 2024. Votimi në parlament u përshëndet menjëherë si nga ambasada amerikane në Tiranë, ashtu dhe nga Delegacioni e Bashkimit Europian dhe OSBE-ja, të cilat kishin bërë thirrje të përsëritura për miratimin e ndryshimeve kushtetuese.

Shqipëri, ndryshimet kushtetuese për Vettingun miratohen me 118 vota
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:34 0:00

Kritike ndaj reformës në Drejtësi, Partia Demokratike, deri më tani, kishte shmangur të shprehej për çështjen e zgjatjes së mandatit të institucioneve të Vettingut, madje përfaqësuesit e saj kishin bojkotuar pjesëmarrjen në mbledhjet e Këshillit të Legjislacionit dhe Komisionit të Ligjeve, ku u zhvilluan disa seanca mbi këtë çështje.

Vetëm sot, kryetari demokrat Lulzim Basha, pas një mbledhjeje të grupit të vet parlamentar deklaroi se vota e tyre do të jetë në favor. “Sot nuk është drejtësia që duam, por do të ishte akoma më keq në qoftë se një proces i nisur me qëllim që të përfundojë me një drejtësi që nuk i mbron, por i ndëshkon politikanët e korruptuar dhe krimin e organizuar do të mbetej në mes dhe kështu do të ndërprehej integrimi europian i vendit”, u shpreh zoti Basha.

Vendimi i demokratëve vjen ndërsa dy ditë më parë ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Delegacioni i Bashkimit Europian u bënë thirrjen e fundit deputetëve shqiptarë, përmes një deklarate të përbashkët, që të mbështesin zgjatjen e mandatit të institucioneve të Vettingut, duke nënvizuar se “kjo nuk është çështje partiake” dhe se “vota për zgjatjen e vettingut është votë për të ardhmen e Shqipërisë në BE”.

Ish kryeministri Sali Berisha, i cili mbështetet dhe nga deputetë të tjerë demokratë, foli me tone të forta kritike për Reformën në Drejtësi, dhe pasojat, sipas tij katastrofale, që ka sjellë procesi i Vettingut, i kontrolluar siç u shpreh, nga kryeministri Edi Rama, duke aluduar më pas hapur për një marrëveshje mes shumicës dhe zotit Basha. “Vetëm 24 përqind e shqiptarëve i besojnë sot Reformës në Drejtësi. Vetëm 7 përqind e atyre që nuk votojnë, besojnë në pseudoreformën e George Sorosit dhe Edi Ramës. A e dini që Reforma është një nga shkaqet kryesore të spastrimit etnik të Shqipërisë. Atëherë më mirë, keni vendosur ta votoni, ndërprisni diskutimet dhe votoni, por mos përdorni mikrofonin për hipokrizira dhe mashtrimin e qytetarëve shqiptarë”, deklaroi zoti Berisha.

Sipas legjislacionit në fuqi, në përfundim të mandatit të Komisionit të Pavaruar të Kualifikimit, kompetencat e tij për procesin e rivlerësimit i kalojnë Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) për gjykatësit dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, (KLP) në rastin e Prokurorisë. Ndërsa funksionet e Komisionerëve publikë i kalojnë Prokurorisë së Posaçme. Por siç vëren dhe Komisioni i Venecias në Opinionin e tij për këtë çështje, një gjë e tillë do të rrezikonte standartet dhe praktikat e ndjekura deri tani.

Për socialistët, ndryshimi i propozuar ka vetëm efekt rregullues për të garantuar vazhdimësinë e procesit. “Propozimi në fakt konsiston në shtyrje afati, që nuk prek thelbin e procesit të Vettingut dhe as standartet, që kërkohen prej një procesi të tillë. Kjo do të thotë se thelbi i dispozitës kalimtare kushtetuese nuk ndryshon. Eshtë vetëm një menaxhim i mirë i kohës dhe përfundimit të vlerësimit kalimtar nga të njëjtat organe, që e nisën atë”, shpjegoi kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka.

Gjatë seancës ndërhyri dhe deputeti socialist Fatmir Xhafaj, i cili udhëhoqi të gjithë procesin e Reformës në Drejtësi duke drejtuar komisionin e posaçëm, që u ngrit për realizimin e saj. Zoti Xhafa shprehu keqardhjen që ky moment i ndryshimeve kushtetuese nuk ishte shfrytëzuar për të bërë një analizë të 5 viteve që nga miratimi i Reformës, gjë të cilën ai e kishte propozuar që kur kjo çështje hyri në procedurat parlamentare.

Përtej meritave të punës së anëtarëve të institucioneve të Vettingut, ai tha se “nuk kemi pse të mos pranojmë se disa ndër ta nuk e kanë merituar këtë përgjegjësi dhe me mungesën e integritetit e ndershmërisë publike kanë cënuar vlerat e këtij procesi. Ky është fakt që më së pari ne duhet të na bëjë të skuqemi për zgjedhjet e gabuara që kemi bërë kur kemi shtypur butonin për ta. Gabim që e kemi bërë edhe me disa zgjedhje në KLP e KLGJ dhe që mesa po shoh edhe sot vështirë të ndahemi nga kjo praktikë me qasjen që kemi”, u shpreh zoti Xhafaj, duke shtuar se “procesi ka shfaqur edhe probleme e dukuri që meritojnë vëmendje. Raportohet se ka probleme me ritmin, me shpejtësinë për çështjet prioritare, me vonesat e pajustifikuara në afatet e gjykimit deri edhe zvarritjen e qëllimshme për disa prej tyre. Ashtu sikundër ka perceptime kryesisht apo edhe akuza publike për disa komisionerë për cënim të paanshmërisë e objektivitetit, për gjykimin me dy standarde, nënshtrim ndaj presioneve, etj. ONM mund e duhet të luajë një rol shumë më proaktiv në gjykimin dhe ndëshkimin e praktikave të tilla”.

Aktualisht, afati i funksionimit të institucioneve të Vettingut është qershori i këtij viti, por sipas përllogaritjeve, deri në atë periudhë, më shumë se 25 përqind e prokurorëve dhe gjyqtarëve, nuk do t'i jenë nënshtruar ende rivlerësimit. Sipas propozimit, ky afat do të shtyhet deri në fund të vitit 2024.

Gjatë seancës së sotme parlamenti miratoi dhe ngritjen e dy komisioneve të posaçme për Reformën Zgjedhore dhe atë Territoriale, të konsideruara nga opozita si dy prioritete të një rëndësie kombëtare.

Reagimet ndërkombëtare

Ambasada e Shteteve të Bashkuara përshëndeti miratimin e zgjatjes së mandatit të institucioneve të Vettingut nga Parlamenti. “Ky është një hap i rëndësishëm përpara për të gjithë shqiptarët, drejt një sistemi drejtësie më të fortë, më të besueshëm dhe drejt integrimit evropian. Shtetet e Bashkuara do të mbështesin gjithmonë Shqipërinë në këtë rrugë të rëndësishme”, thekson deklarata duke vënë në dukje “mbështetjen e madhe” që mori nga votat e deputetëve.

Për Delegacionin e Bashkimit Europian, parlamenti shqiptar “tregoi vendosmëri të fortë ndërpartiake për të ecur përpara drejt anëtarësimit në BE !”, shkruajti në një postim në Twitter ambasadori Luigi Soreca duke uruar deputetët “që votuan sot për zgjatjen e vettingut, një moment historik vendimtar drejt përfundimit të reformës në drejtësi. Kjo ishte një votë për të ardhmen e Shqipërisë në BE. E rëndësishme që organet e vettingut të vazhdojnë punën e tyre, me profesionalizmin dhe integritetin më të lartë, për të siguruar një finalizim të suksesshëm dhe të shpejtë të procesit”.

Edhe prania e OSBE-së në Tiranë mirëpriti “vendimin ndërpartiak të Kuvendit për të zgjatur mandatin e institucioneve të vetingut. Kjo votë njeh faktin që Kushtetuta u përket të gjithë qytetarëve shqiptarë, dhe ne përgëzojmë konvergjencën mes opozitës dhe maxhorancës. Përfundimi i reformës në drejtësi është i një rëndësie kyçe. Është po aq e rëndësishme që të gjitha forcat politike të vijojnë në rrugën e reformës me këtë frymë respekti të ndërsjellë për të mirën e interesit kombëtar”.

Si ambasadori i BE-së, Soreca ashtu dhe Prania e OSBE-së përshëndetën gjithashtu dhe ngritjen e dy Komisioneve të posaçme parlamentare. “Përshëndes gjithashtu vendimet e rëndësishme të Kuvendit për propozimet e Partisë Demokratike për të çuar përpara në komisionet ad hoc punën për reformën zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSCE/ODIHR, si dhe për reformën territoriale, duke ruajtur arritjet e deritanishme”, shkruajti ambasadori Soreca.

Ndërsa prania e OSBE, theksoi ndër të tjera se “mbetet e gatshme të vijojë të ndihmojë institucionet e Shqipërisë për zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it”.

XS
SM
MD
LG