Lidhje

Shqetësime për përdorimin e teknologjisë në Lojërat Olimpike të Pekinit


Në Lojërat Olimpike 2022 në Pekin, Kina po përdor teknologjinë për të mbajtur të sigurt sportistët dhe vizitorët në kuadrin e masave për pandeminë. Por, siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Michelle Quinn, për vizitorët përdorimi i teknologjisë mund të shoqërohet me shqetësime për privatësinë dhe sigurinë.

Shqetësime për përdorimin e teknologjisë në Lojërat Olimpike të Pekinit
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:48 0:00

Për pjesëmarrësin në katër lojëra olimpike, Chris Mazdzer, lojërat e këtij viti janë ndryshe për shkak të pandemisë. Nuk ka turma tifozësh që brohorasin.

"Do të jetë e çuditshme pa atmosferën e vërtetë olimpike", thotë ai.

Nga brenda të ashtuquajturës "flluskë olimpike", ku pjesëmarrësit dhe vizitorët monitorohen për COVID-19 dhe flenë, ushqehen dhe konkurrojnë të ndarë nga pjesa tjetër e Pekinit, Lojërat Olimpike duken disi ndryshe dhe shoqërohen nga më shumë teknologji për shkak të pandemisë.

Por teknologjia vjen edhe me shqetësime për privatësinë dhe sigurinë, në veçanti në Kinë. Grupet e të drejtave të njeriut e kritikojnë Pekinin për censurën në internet dhe për survejimin dixhital të popullsisë.

Për shkak të shqetësimeve për sigurinë kibernetike, FBI-ja këshilloi vizitorët e fshatit olimpik të lënë telefonat personalë në shtëpi dhe të përdorin telefona të përkohshëm.

Charity Wright, eksperte për rreziqet kibernetike në kompaninë Recorded Future, thotë se megjithëse këshilla e FBI-së ishte në terma të gjera, ka ekzistuar prej kohësh shqetësimi se autoritetet kineze gjurmojnë në rrugë dixhitale lëvizjet e vizitorëve.

"Mendoj se është shumë e rëndësishme të merrni me vete një paisje bosh, ta mbani të tillë ndërsa gjendeni atje, të bëni biseda të shkurtra dhe të thjeshta, duke mos zbuluar të dhëna personale që mund t'i mbledhë qeveria kineze", thotë zonja Wright.

Autoritetet amerikane kanë akuzuar në mënyrë të përsëritur Kinën dhe vende të tjera se shfrytëzojnë sulmet kibernetike për të vjedhur informacion dhe për të zhvilluar aktivitete spiunazhi.

Por një sulm i mbështetur nga shteti kundër Lojërave Olimpike Dimërore 2022 në Pekin nuk ka gjasa të ndodhë, thonë ekspertët e sigurisë, duke patur parasysh marrëdhënien gjeopolitike të Kinës me vende si Rusia dhe Koreja e Veriut, nga ku janë kryer sulme kibernetike në të kaluarën.

FBI-ja thotë se ndaj Lojërave Olimpike dhe Paraolimpike 2020 në Tokio pati miliona incidente kibernetike, asnjë prej të cilëve nuk pati sukses.

Megjithatë, kjo agjensi amerikane paralajmëroi se mund të ketë sulme kibernetike të motivuara nga përfitimi financiar apo nga të ashtuquajturit hakerë aktivistë që duan të ngrenë vëmendjen ndaj një çështjeje të caktuar.

"Një aktivitet në shkallë globale si Lojërat Olimpike, që ndiqen nga e gjithë bota, është vërtet lloji ideal i një aktiviteti ku mund të shprehin pakënaqësitë e tyre dhe të rrisin ndërgjegjësimin për kauzën e tyre", thotë zonja Wright.

Teknologjia ka luajtur një rol kyç në përpjekjet e Kinës për të frenuar përhapjen e COVID-19 jashtë dhe brenda zonës olimpike.

Në kuadrin e masave të Pekinit ndaj pandemisë, robotët janë të gjithëpranishëm brenda zonës olimpike. Ata përgatisin dhe shpërndajnë ushqimin, pastrojnë dyshemetë, për të ndihmuar njerëzit që të mbajnë një lloj distance fizike.

Vizitorët detyrohen të instalojnë një aplikacion në telefonat e tyre, ku regjistrojnë çdo ditë temperaturën dhe informacionin për testimin për COVID-in. Nëse rezultojnë pozitivë, largohen menjëherë nga Lojërat.

Një mangësi sigurie që ishte raportuar për këtë aplikacion është ndrequr, thanë autoritetet e olimpikeve të Pekinit, dhe tashmë mblidhen vetëm të dhëna të kufizuara.

"E gjithë mbledhja e të dhënave ka rregulla strikte, të qartësuara nga Komiteti Ndërkombëtar Olimpik dhe nga Komisioni Organizator i Olimpikeve të Pekinit, pas një diskutimi të detajuar", tha Yu Hong, shefe e teknologjisë e Lojërave Olimpike të Pekinit.

Amerikani Chris Mazdzer i tha Zërit të Amerikës se iu desh që përpara lojërave të instalonte aplikacionin në fjalë në mënyrë që të përgatitej për të marrë pjesë në konkurim.

"Unë besoj në privatësinë e të dhënave. Nuk ndjej se kam diçka për të fshehur apo për të cilën duhet të shqetësohem që ndodhet në telefonin tim", thotë ai.

Ndërsa përpiqen të sjellin medalje në atdhe, sportistëve u duhet gjithashtu të marrin masa për të mbrojtur veten nga rreziqet dixhitale.

XS
SM
MD
LG