Lidhje

Ndërroi jetë në Tiranë poeti i njohur Bardhyl Londo


Poeti i njohur shqiptar Bardhyl Londo ndërroi jetë të premten pas një sëmundje të gjatë në moshën 74 vjeçare. Ai është autor i katërmbëdhjetë vëllimeve poetike dhe prozash, botimin e të cilëve e nisi afro 50 vjet më parë.

Londo vlerësohet nga kritika letrare si një prej krijuesve lirikë më të spikatur në periudhën midis fundit të diktaturës dhe fillimit të demokracisë, ndërsa i këndoi vlerave njerëzore në kohëra kur njeriu dhe të drejtat njerëzore dhunoheshin hapur.

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë nisi sot nderimet për poetin Londo, duke çelur një ekspozitë me veprat e tij. Ekspozita përmbledh krijimtarinë e tij letrare, punimet si përkthyes dhe redaktor.

Mes tyre bien në sy veprat e viteve 80 “Krisma dhe trëndafila”, “Hap po deshe kalendarin”, “Hapa në rrugë”, “Emrin e ka dashuri”, “Si ta qetësoj detin”, “Vetëm Itaka”, “Ditë njerëzore”, vëllimet poetike të viteve 90 “Kur perënditë ndaluan vetëvrasjen”, “Eksodi i yjeve”, si dhe ato të shekullit të ri “Shenjtor dhe djall”, “Shën Shiu”, “Fluturimi i korbave,Jeta që na dhanë” dhe “Prill i hidhur”.

Londo është i pranishëm rregullisht në shtypin letrar “Zëri i Rinisë”, revistën “Nëntori” dhe në javoren “Drita”, ku ishte edhe kryeredaktor për shumë vite.

Në fillim të viteve 90 Londo ishte kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve dhe më pas ka punuar në institucione të kulturës.

Nderimet për poetin Londo vazhdojnë nesër në mjediset e parlamentit të Shqipërisë, sepse ai ishte për një mandat deputet i Partisë Demokratike.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, e cilësoi në ngushëllimet e tij zotin Londo si një autor I spikatur që “do të kujtohet përherë me respekt, veçanërisht për vargjet frymëzuese që na la trashëgim të gjithëve”.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, theksoi në mesazhin e tij se “Bardhyl Londo i përket atij brezi intelektualësh, që talentin dhe identitetin e tyre kulturor e lidhën fort me fatet e vendit dhe shoqërisë shqiptare, një frymëzues i madh i ndryshimit në vitin 1990 me poezitë e tij për demokracinë”.

XS
SM
MD
LG