Lidhje

Projekti i parë federal i emigrimit për shkak të ndryshimeve klimatike


Projekti i parë i emigrimit për shkak të ndryshimeve klimatike
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:02 0:00

Projekti i parë i emigrimit për shkak të ndryshimeve klimatike

Që nga rritja e nivelit të detit në Majami dhe deri tek zjarret shkatërruese në Kaliforni, ndryshimet klimatike po rrezikojnë gjithnjë e më shumë komunitetet amerikane. Ndërsa rreziqet shtohen, shumë po zbulojnë se alternativa më e mirë mund të jetë të tërhiqen para se të godasë fatkeqësia. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Steve Baragona, njofton se shtatëdhjetë kilometra në jugperëndim të Nju Orlinsit është duke u bërë zhvendosja e parë për shkak të klimës, e financuar nga qeveria federale.

Një rrip i hollë asfalti është gjithçka që lidh ishullin Isle de Jean Charles me bregun e Luizianës. Paraardhësit indianë të Amerikës të Chris Brunet-it u larguan drejt këtyre kënetave të largëta në vitet 1800 për t'i shpëtuar kolonëve të bardhë.

"Ne kemi qenë këtu me breza. Dhe meqë jemi indianë të Amerikës, jemi të lidhur me tokën", thotë zoti Brunet.

Por kjo tokë po gërryhet nga ujërat e Gjirit të Meksikës.

Isle de Jean Charles është tkurrur me 98 për qind që nga vitet 1950.

Kanalet për shpimin e naftës dhe gazit, si dhe tubacionet kanë ngrënë tokën përgjatë bregdetit të Luizianës. Ndryshimet klimatike po japin goditjen përfundimtare, pasi rritja e nivelit të deteve përshpejton erozionin.

Zoti Brunet e ka kaluar gjithë jetën e tij në Isle de Jean Charles. Por ai thotë se tkurrja e pandalur e ishullit, që është shtëpia e tij, e shtrëngoi të marrë një vendim.

"Kjo i bën njerëzit të marrin vendime që nuk duan t'i marrin. Dhe ata janë pothuajse të detyruar ta marrin atë vendim për shkak të ndryshimeve klimatike", thotë ai.

"Këtu ku po ecim tani do të jenë shtëpitë, në më pak se një vit", thotë Pat Forbes.

Zoti Forbes drejton Zyrën e Zhvillimit të Komunitetit të Luizianës. Zyra e tij mbikqyr një fond federal prej 48 milionë dollarësh për të zhvendosur banorët e ishullit në këtë komunitet të ri rreth 55 kilometra në veriperëndim.

Ndërsa nuk na pëlqen që na duhet ta bëjmë këtë, jemi të lumtur që mundemi ta krijojmë këtë mundësi”, thotë ai.

Fondi nga agjencia federale e strehimit, e quajtur HUD, është i pari që zhvendos një komunitet të kërcënuar nga ndryshimet klimatike. Por ka të ngjarë të mos jetë i fundit, pasi gjithnjë e më shumë njerëz po u largohen fatkeqësive klimatike, thotë zoti Forbes.

"HUD donte që ne të bënim diçka që na ndihmon të gjithëve të mësojmë se si ta bëjmë më mirë, sepse do të ketë shumë të tilla", thotë zoti Forbes.

Projekti është unik edhe në një mënyrë tjetër, thotë zoti Forbes.

"Gjithçka kemi bërë në të kaluarën ka qenë përgjithësisht që t'u japim njerëzve para që të shkojnë të gjejnë një shtëpi diku tjetër. Dhe kur veprohet kështu, i gjithë komuniteti shpërbëhet, (dhe) përhapet në të gjithë vendin", thotë ai.

Pothuajse i gjithë komuniteti me lidhje të ngushta në Isle de Jean Charles do të zhvendoset së bashku. Mbesa dhe nipi i zotit Brunet do t'i bashkohen atij kur projekti të përfundojë brenda vitit 2022.

Ekspertët thonë se komuniteti mund të jetë po aq i rëndësishëm për njerëzit sa edhe siguria.

Megjithatë, zoti Brunet po e përballon këtë lëvizje me ndjenja të përziera.

"Është njësoj si ta shkulësh një pemë dhe ta zhvendosësh në një vend tjetër. Vetëm mund të shpresosh se rrënjët e pemës do të zënë vend në tokën e re. Dhe kështu jam unë. Po më ndërtoni një banesë, por nuk është ende shtëpia ime", thotë ai.

Të çrrënjosur nga ndryshimet klimatike, ekspertët thonë se gjithnjë e më shumë njerëz do të detyrohen të ndërtojnë jo vetëm shtëpi të reja, por edhe një jetë të re.

XS
SM
MD
LG