Mbretëresha Elizabeth, 95 vjeç, ka rezultuar pozitive për COVID dhe po përjeton simptoma të lehta, por ka në plan të vazhdojë angazhimet e saj më të lehta këtë javë, tha Pallati Mbretëror të dielën.
Monarkja britanike po përjeton simptoma të lehta të ngjashme me ato të ftohjes, tha Pallati duke shtuar se ajo do të vazhdojë të marrë kujdes mjekësor dhe do të ndjekë të gjitha udhëzimet e duhura.
Princi Charles, 73 vjeçar u infektuar me koronavirus për herë të dytë. Një burim nga pallati tha se ai ishte takuar me mbretëreshën vetëm disa ditë më herët.
Shëndeti i mbretëreshës, monarkes më të moshuar dhe më jetëgjatë në botë, ka qenë në qendër të vëmendjes që kur ajo kaloi një natë në spital tetorin e kaluar për një sëmundje të paspecifikuar dhe më pas u këshillua nga mjekët të pushonte.