Lidhje

Presidenti Biden pajtohet në parim për një takim me presidentin rus rreth Ukrainës


Nga takimi i qershorit të vitit 2021 ndërmjet presidentit amerikan Joe Biden dhe presidentit rus, Vladimir Putin.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden dhe presidenti rus, Vladimir Putin, kanë rënë dakord në parim për një takim mbi Ukrainën, tha të hënën presidenti francez, duke ofruar një rrugëdalje të mundshme nga një nga krizat më të rrezikshme evropiane në dekada.

Tregjet financiare u përtërinë në dritën e shpresës për një zgjidhje diplomatike, ndonëse pamjet satelitore tregojnë grumbullimet ruse më afër kufirit të Ukrainës, ndërsa jehona e luftës u dëgjua të hënën në lindje, ku forcat qeveritare ukrainase po luftojnë me separatistët pro-rusë.

Zyra e presidentit francez, Emmanuel Macron, tha në një deklaratë se ai u kishte propozuar të dy udhëheqësve një takim mbi "sigurinë dhe qëndrueshmërinë strategjike në Evropë".

Në një deklaratë, Shtëpia e Bardhë tha se presidenti Biden e pranoi propozimin "në parim" por vetëm "nëse nuk ndodhë një pushtim”.

"Ne jemi gjithmonë gati për diplomaci”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki. "Ne jemi gjithashtu të gatshëm të imponojmë pasoja të shpejta dhe të rënda, nëse Rusia në vend të kësaj zgjedh luftën".

Pak hollësi janë bërë të qarta rreth takimit të propozuar, që u shpall pas një breshërie telefonatash midis presidentëve Macron, Biden, Putin e Zelenskiyy dhe kryeministrit britanik, Boris Johnson.

Zyra e presidentit Macron dhe Shtëpia e Bardhë, thanë se thelbi i planit do të përpunohej nga Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, gjatë takimit të tyre të planifikuar për 24 shkurt.

Se çfarë roli do të luante Ukraina në takim dhe nëse do të kishte një të tillë, është gjithashtu e paqartë.

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se ka një nevojë urgjente për bisedime, për të shmangur luftën, ndërsa Gjermania tha se Rusia duhet të kthehet në tryezën e bisedimeve.

Kremlini tha të hënën se ende nuk ka plane konkrete rreth takimit.

Lajmi për propozimin e presidentit Macron, pasoi një javë tensionesh në rritje të nxitura nga grumbullimi ushtarak i Rusisë.

Forcat ruse janë grumbulluar rreth Ukrainës fqinje që nga fundi i vitit të kaluar, në atë që vendet perëndimore thonë se është një prelud i një pushtimi, që mund të ndodhë në çdo moment.

Rusia mohon të ketë plane pushtimi, por shqetësimet u rritën më tej kur ministria bjelloruse e Mbrojtjes njoftoi se Rusia do të zgjasë stërvitjet ushtarake në Bjellorusi, që duhej të përfundonin të dielën.

Të dielën, sekretari Blinken tha se zgjatja e stërvitjeve në Bjellorusi, në kufi me Ukrainën, në veri, shtoi shqetësimin se Rusia është në prag të një sulmi dhe duhej shfrytëzuar çdo mundësi për të vënë në punë diplomacinë.

Granatimet sporadike përgjatë vijës që ndan forcat qeveritare të Ukrainës dhe separatistët pro-rusë në lindje, janë intensifikuar që nga e enjtja. Të shtëna u dëgjuan sërish të hënën, përfshirë një shpërthim në qendër të qytetit të Donetskut, të kontrolluar nga separatistët. Shkaku është ende i panjohur.

Agjencia ruse e lajmeve, RIA, citoi kryengritësit të kenë thënë se dy civilë u vranë nga granatimet e forcave qeveritare të Kievit. Mediat ruse raportuan se 61,000 të evakuuar nga Ukraina Lindore, kanë kaluar në Rusi.

Kievi ka akuzuar forcat pro-ruse se kanë bombarduar bashkatdhetarët e tyre në rajonin e shkëputur, në mënyrë që të fajësojnë forcat e qeverisë ukrainase për sulmet.

XS
SM
MD
LG