Lidhje

Zyrtari amerikan: Rezistenca ukrainase po ngadalëson përparimin e trupave ruse


Një zyrtar amerikan i mbrojtjes tha të shtunën se forcat ruse janë të irrituara nga ajo që Shtetet e Bashkuara besojnë se është rezistencë "e qëndrueshme" ukrainase.

"Ne e dimë se ata nuk kanë përparuar aq sa ç’prisnin, veçanërisht në veri. Ata janë të irrituar nga rezistenca shumë e vendosur që kanë hasur," tha zyrtari.

Edhe Ministria e Mbrojtjes e Britanisë tha në Twitter se përparimi rus në Ukrainë është ngadalësuar, “ndoshta për shkak të problemeve logjistike dhe rezistencës së forte”.

Ndërkohë Oleksiy Arestovych një këshilltar i presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy tha se sulmi rus ndaj Kievit nuk po përparonte dhe se rreth 3,500 ushtarë rusë ishin vrarë ose plagosur deri tani që nga fillimi i agresionit të Moskës ndaj Ukrainës.

Rusia tha se u ka dhënë urdhër të gjitha njësive në Ukrainë për të rifilluar ofensivën nga të gjitha drejtimet pas një pauze të premten, sipas agjencisë së lajmeve RIA që citonte ministrinë ruse të mbrojtjes.

Duke bërë jehonë të komenteve të ngjashme nga Kremlini, ministria tha se pauza e së premtes ishte bërë në pritje të bisedimeve midis Moskës dhe Kievit, por se ofensiva rifilloi pasi Ukraina refuzoi të negocionte.

Në fakt Ukraina kishte bërë thirrje për mbajtjen e bisedimeve, një çështje që nuk vazhdoi më të diskutohej pasi Presidenti Putin sugjeroi Minskun si vendin për mbajtjen e tyre ndërkohë që Bjellorusia është aleate e Moskës.

Ndërkohë Ramzan Kadyrov, udhëheqësi i rajonit rus të Çeçenisë dhe një aleat i presidentit rus Vladimir Putin, tha të shtunën se luftëtarë çeçenë kishin shkuar vendosur në Ukrainë dhe u bëri thirrje ukrainasve të përmbysnin qeverinë e tyre.

XS
SM
MD
LG