Lidhje

Rusia vë në gatishmëri të lartë forcat bërthamore


Ukraina ka rënë dakord të mbajë bisedime me Rusinë në kufirin bjellorus, ndërkohë që presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi forcat parandaluese bërthamore ruse në gatishmëri të lartë.

Mes rritjes së tensioneve me Perëndimin lidhur me agresionin rus kundër Ukrainës, zoti Putin i tha të dielën ministrit rus të mbrojtjes që të vendosë forcat bërthamore në një "status të posaçëm të gatishmërisë luftarake" për shkak të “deklaratave agresive nga udhëheqësit e NATO-s dhe sanksioneve ekonomike kundër Moskës”.

Shtëpia e Bardhë reagoi duke thënë se urdhri i Presidentit Vladimir Putin për të vënë forcat bërthamore ruse në gatishmëri të lartë është pjesë e modelit të sajimit të kërcënimeve nga Moska për të justifikuar agresionin.

"Ne e kemi parë shpesh atë ta bëjë një gjë të tillë. Rusia në asnjë moment nuk ka qenë nën kërcënimin e NATO-s, Rusia nuk ka qenë nën kërcënimin e Ukrainës", tha të dielën tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki për programin "This Week" të televizionit ABC.

Një zyrtar i lartë amerikan i mbrojtjes u tha gazetarëve se vendimi i Rusisë për të vënë në gatishmëri të lartë mekanizmin e saj të frenimit bërthamor ishte "i panevojshëm" dhe "përshkallëzues".

"Ne kemi bindjen se kemi aftësinë për të mbrojtur atdheun dhe për të mbrojtur aleatët dhe partnerët tanë, përfshirë përmes parandalimit strategjik," tha zyrtari ndërsa nuk pranoi të diskutonte më tej në detaje se cilat ishin këto aftësi të frenimit bërthamor .

Ndërkohë, presidenti ukrainas Vlodimir Zelenski ra dakord të dërgojë një delegacion në kufirin bjellorus për të filluar bisedimet e paqes me Rusinë pa parakushte.

"Ne ramë dakord që delegacioni ukrainas të takohet me delegacionin rus pa parakushte në kufirin ukrainas-bjellorusi, pranë lumit Pripyat," tha zyra e tij në një deklaratë.

Më herët, zoti Zelenski kishte thënë se do të hynte në bisedimet e paqes me Rusinë, por përjashtoi mundësinë e një takimi brenda Bjellorusisë, pasi Rusia e ka përdorur territprin e këtij vendi për të ndërmarrë sulmet e saj ndaj Ukrainës.

Ambasadorja e Ukrainës në Shtetet e Bashkuara, Oksana Markarova, theksoi se qeveria ishte e gatshme për bisedime paqeje, por jo e gatshme të dorëzohej, duke shtuar se qeveria ukrainase kishte ngritur padi kundër Rusisë në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për krime lufte në Hagë.

"Ata po përdorin raketa dhe artileri të rëndë dhe trupa anembanë vendit për të vënë në shënjestër në thelb infrastrukturën civile, spitalet; dhe madje edhe kopshtet e fëmijëve. Dua të them se ata nuk po përjashtojnë asgjë," tha zonja Markarova për televizionin ABC.

XS
SM
MD
LG