Godina në Berlin ku nazistët iu dorëzuan forcave sovjetike dhe aleate në vitin 1945 është shndërruar në një muze. Por, siç njofton nga Berlini korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell, muzeu po ndikohet tashmë nga lufta mes Ukrainës dhe forcave ruse që e kanë sulmuar.
Më 8 maj 1945, komandantët e forcave fitimtare aleate mbërritën në aeroportin e Berlinit, Tempelhof. Kapitullimi zyrtar i nazizmit u nënshkrua në një kazermë ushtarake në Berlinin Lindor, që ishte marrë nga forcat sovjetike. Lufta në Evropë mori kështu fund.
Ky objekt ruhet dhe sponsorizohet nga një shoqëri historianësh gjermanë, rusë, ukrainas dhe bjellorusë, që njihej deri më tani me emrin Muzeu Gjermano-Rus.
Pasi Rusia sulmoi Ukrainën, drejtori i muzeut vendosi të shfaqë vetëm flamurin ukrainas në hyrje të godinës. Mbishkrimi me emërtimin Muzeumi Gjermano-Rus është mbuluar.
“Normalisht shfaqim të katër flamujt, të Gjermanisë, Rusisë, Ukrainës dhe Bjellorusisë. E shohim si një simbol të rëndësishëm për t’u solidarizuar me Ukrainën. Në këtë rast Ukraina është viktima. Ajo u sulmua – ky është mesazhi ynë. Prandaj sot ngritëm vetëm një flamur”, thotë drejtori i muzeut Jorg Morre.
Mosmarrëveshja i ka rrënjët shumë më të thella. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Ukraina ishte pjesë e Bashkimit Sovjetik.
Mizoritë e nazistëve ndaj sovjetikëve janë të dokumentuara. Shumë nga këto krime ndodhën në territorin e sotshëm të Ukrainës.
Objekti ku u nënshkrua kapitullimi i nazistëve u quajt muzeu gjermano-rus në vitin 1994, pas rënies së Bashkimit Sovjetik.
Dy dekada më vonë, Rusia sulmoi Ukrainën dhe aneksoi Krimenë. Muzeu u gjend në epiqendrën e një mosmarrëveshjeje për emrin e tij.
“Kolegët tanë ukrainas kanë vështirësi të punojnë në një muze të quajtur Muzeu Gjermano-Rus. Nga pikëpamja gjermane, mjaftonte për ca kohë të thuhej që ‘Kemi një muze me Rusinë’. Por është paksa e pasaktë. Me fjalën Rusi nënkuptohej i gjithë Bashkimi Sovjetik. Për shumë kohë kjo nuk bezdiste njeri. Për gjermanët është shumë e rëndësishme të kemi një muze së bashku me ish-armiqtë tanë në luftë. Por, tani mësuam se është e rëndësishme të bëjmë dallimin mes Rusisë, Ukrainës dhe Bjellorusisë”, thotë zoti Morre.
Para se të fillonte sulmin më të fundit, presidenti rus tha se kishte për objektiv “de-nazifikimin” e Ukrainës. Rusia e ka krahasuar vazhdimisht qeverinë ukrainase me nazistët dhe i akuzon ata për gjenocid.
Ukraina i ka refuzuar me forcë pretendime të tilla, dhe vë në dukje se Presidenti i saj, Volodymyr Zelenskyy, është hebre, dhe se gjyshi i tij luftoi kundër nazistëve.
Drejtori i muzeut është i zemëruar nga gjuha që përdor presidenti rus.
“Ky është një falsifikim, një manipulim i historisë që nuk e kisha pritur kurrë. Ndoshta vërtet nuk kemi mësuar gjë nga historia”, thotë ai.
Është një histori ende e debatuar.
Gjermania, dhe Evropa, besonin se lufta ishte pjesë e një historie që nuk duhet përsëritur më kurrë dhe që duhet të kujtohet në muzeume të tilla. Por, ndërsa konflikti u rikthye në Evropë, Rusia po rikthen gjuhën e konflikteve të shekullit të njëzetë, ndërsa tanket e saj përshkojnë Ukrainën.