Lidhje

Qeveria e Kosovës ndan fond për strehimin e 20 gazetarëve nga Ukraina


Qeveria e Kosovës vendosi të martën në mbrëmje të ndajë 150 mijë euro, për siç u tha, pranimin e njëzet gazetarëve nga Ukraina në Kosovë.

Në një komunikatë të qeverisë thuhet se fondi do të mbulojë shpenzimeve për qëndrimin e gazetarëve ukrainas në Kosovë për një periudhë deri në gjashtë muaj.

“Identifikimi dhe përzgjedhja e gazetarëve do të bëhet nga Federata Evropiane e Gazetarëve dhe Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias në bashkëpunim me qeverinë e Kosovës, duke u dhënë përparësi gazetareve gra”, thuhet në komunikatën e qeverisë.

Vendimi i qeverisë së Kosovës u mor në ditën e gjashtë të agresionit të Rusisë në Ukrainë.

Udhëheqësit e institucioneve dhe partive politike në Kosovë, e kanë dënuar sulmin dhe janë zotuar për bashkërendim me veprimet e aleatëve perëndimorë.

Qeveria e Kosovës, u është bashkuar sanksioneve amerikane dhe evropiane kundër Rusisë dhe disa individëve nga Bjellorusia, për siç u tha, rolin e tyre në lehtësimin e sulmit rus ndaj Ukrainës. Rusia një aleate e vjetër e Serbisë, refuzon të njohë pavarësinë e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi të martën se ka autorizuar ministrinë e financave të themelojë “Fondin e Sigurisë”, në përputhje me nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës, situatës aktuale dhe pas këshillimeve me partnerët ndërkombëtarë.

Sipas kryeministrit Kurti, nëpërmjet këtij fondi do të mundësohet pranimi i donacioneve dhe kontributeve të diasporës dhe qytetarëve të Kosovës. Mjetet e këtij fondi pritet të përdoren në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë shtetërore, infrastrukturën e sigurisë dhe menaxhimin e katastrofave natyrore.

Kryeministri Kurti tha mjetet e mbledhura financiare synohet të përdoren në përputhje me strategjinë e sigurisë shtetërore të Kosovës që pritet të miratohet.

Autoritetet në Kosovë thonë se janë duke bashkëpunuar me aleatët perëndimorë për të kundërshtuar agresionin e Rusisë në Ukrainë dhe për t’u përballur me ndikimet e mundshme në rajonin e Ballkanit.

XS
SM
MD
LG