Lidhje

Forcat ruse thonë se kanë vënë nën kontroll Khersonin në jug të Ukrainës


Mbetje të automjeteve ushtarake ruse në qytetin Bucha, afër Kievit

Rusia tha të mërkurën se forcat e saj morën nën kontroll Khersonin, qytetin e parë më të madh në jug, ndërsa luftimet u ndezën gjithandej Ukrainës dhe vendet perëndimore po shtrëngojnë lakun ekonomik rreth Rusisë.

Më shumë se gjysmë milioni ukrainas janë larguar nga vendi që kur presidenti rus, Vladimir Putin, urdhëroi një sulm të plotë mbi fqinjin e tij jugor të enjten e kaluar.

Bombardimet ruse mbi qytetet e Ukrainës vazhduan, ndërsa videot e postuara në mediat sociale, tregojnë ndërtesa të dëmtuara rëndë rreth qytetit të dytë, Kharkiv.

“Ndërsa ai (Vladimir Putin) mund të bëjë përparim në fushën e betejës, do të paguajë një çmim të lartë të vazhdueshëm në planin afatgjatë”, tha presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden në fjalimin e tij për gjendjen e kombit. Duke shmangur tekstin e përgatitur, presidenti Biden shtoi se “ai nuk e ka idenë se çfarë po vjen". Por, presidenti nuk dha më shumë hollësi.

Sulmet po përballen me rezistencë të ashpër nga forcat ukrainase dhe një autokolonë ushtarake ruse e gjatë me kilometra të tëra në veri të Kievit, ka bërë pak përparim drejt kryeqytetit.

Në një paraqitje të mërkurën, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy tha se rreth 6,000 ushtarë rusë janë vrarë në gjashtë ditët e para të agresionit të Moskës dhe se Kremlini nuk do të jetë të gjendje të pushtojë vendin e tij me bomba dhe sulme ajrore.

Një zëdhënës i ministrisë ruse të Mbrojtjes, tha se forcat ruse kanë marrë nën kontroll Khersonin, një qytet me gati një çerek milionë banorë në veri të Krimesë, gadishullit të aneksuar nga Rusia në vitin 2014. I vendosur strategjikisht në lumin Dnjepër, kryeqyteti i provincës është qyteti më i madh që ra në duart e forcave ruse deri më tani.

Një këshilltar i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, tha se Rusia nuk e kontrollon Khersonin dhe se luftimet në rrugë po zhvillohen në portin jugor, i cili ndodhet në daljen e lumit Dnjepër në Detin e Zi.

"Qyteti nuk ka rënë, pala jonë vazhdon të mbrohet," tha këshilltari, Oleksiy Arestovych.

Qyteti juglindor i Mariupolit është nën bombardime intensive që nga e marta vonë dhe nuk ishte në gjendje të evakuojë të plagosurit, sipas kryebashkiakut të tij.

Një zyrtar i lartë amerikan i Mbrojtjes, tha të martën se përparimi i forcave ruse në Kiev ka ngecur, për shkak të problemeve logjistike, duke përfshirë mungesën e ushqimit dhe karburantit dhe disa njësi duket se kanë moral të ulët.

-Mbështetur në agjencitë e lajmeve Reuters dhe Associated Press

XS
SM
MD
LG