Lidhje

Baerbock në Kosovë, thirrje për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë


Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, tha të enjten se Ballkani Perëndimor është në listën e përparësive të qeverisë së saj dhe se paqja në këtë rajon është interes kombëtar i Gjermanisë.

Ajo i bëri këto komente në Prishtinë, ku qëndroi në një vizitë gjatë së cilës zhvilloi takime me udhëheqës të institucioneve të Kosovës.

Ministrja Baerbock tha se sulmi ndaj Ukrainës ishte një thirrje zgjimi për rëndësinë strategjike të Ballkanit Perëndimor.

“Ne po takohemi në kohëra kur presidenti Putin po bombardon spitalet e fëmijëve, ndërsa njëkohësisht sot po negocion për paqe. Kësaj nuk ia kalon dot edhe me më shumë cinizëm. Unë jam e bindur që kundër luftës së agresionit të presidentit Putin ne nuk kemi një levë më të rëndësishme se sa vendosmërinë e bashkësisë ndërkombëtare”, - tha ajo.

Ministrja Baerbock tha se vizita e saj ka të bëjë me zgjatjen e dorës për shtetet e Ballkanit në rrugën drejtë Bashkimit Europian, ndërsa theksoi rëndësinë e arritjes së marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Prandaj jam edhe këtu, për të dhënë një sinjal të qartë sa i përket perspektivës së BE-së, por para anëtarësimit është statusi i kandidatit, dhe para statusit të kandidatit vjen edhe dialogu për normalizim. Prandaj theksova, se ne si Gjermani do të bëjmë gjithçka për t’iu ndihmuar dhe mbështesim që ju të shkoni në këtë rrugë, në mënyrë që ky dialog për normalizim të përparojë. Prandaj është e rëndësishme që të dy palët të ulen në këtë tavolinë të dialogut dhe të flasin me njëri tjetrën”, - tha ajo duke bërë thirrje për guxim në vendime të vështira.

“Me rëndësi është bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë edhe kur bëhet fjalë për sfidat e rënda sikurse mbajtja e zgjedhjeve serbe në Kosovë në fillim të prillit, në këtë kontekst do të duhej të gjendet një zgjidhje e mirë për votuesit me të drejtë vote në Kosovë, me të cilën pajtohen të dyja palët në të mirë të njerëzve”, - tha ajo.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se integrimi i Kosovës në Bashkim Evropian mbetet përparësi e qeverisë së tij.

“E sigurova ministren se Kosova është partner i besueshëm për Gjermaninë dhe Bashkimin Evropian, këtë e kemi dëshmuar edhe duke pranuar refugjatë afganë dhe po e tregojmë tani gjatë krizës së Ukrainës. Jemi bashkuar sanksioneve evropiane dhe amerikane kundër Rusisë”, tha ai

Kryeministri Kurti bëri thirrje për më shumë vëmendje të strukturave euro-atlantike në Ballkanin Perëndimor për shkak të kërcënimeve ruse.

Ne sigurisht që nuk frikësohemi, por jemi të kujdesshëm meqenëse presidenti despotik Putin dikur na përmendte neve një herë në muaj e tash na përmend nga disa herë në javë, duke krijuar e duke sajuar analogji të paqena vetëm dhe vetëm që ta arsyetojë imperializmin rus, hegjemoninë ruse që është nostalgjike për perandorinë e dikurshme. Pra është e rëndësishme që ta kuptojmë se nuk është vetëm në rrezik Ukraina dhe tashmë në Kremlin e kemi një lider të luftës, i cili qartasi nuk do paqe dhe që do të përdorë çdo dobësi për hegjemoninë e tij, andaj ndihma e BE-së dhe NATO-s në Ballkanin Perëndimor kurrë nuk ka qenë më e nevojshme se sa tani”, - tha kryeministri Kurti.

Ministrja e jashtme gjermane falenderoi qeverinë e Kosovës për mbështetje në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.

Ky qëndrim i qartë dhe i vendosur ka treguar edhe njëherë që Kosova si dhe gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor i përket Europës”, - tha ajo.

Baerbock në Sarajevë: Mbrojtja e paqes në Ballkan, përgjegjësi historike e Gjermanisë

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, thotë se vendi i saj ka "një përgjegjësi historike" për të mbrojtur paqen në Ballkan, pasi bëri një paralelizëm mes shpërbërjes së përgjakshme të ish-Jugosllavisë në vitet 1990 dhe agresionit të vazhdueshëm rus ndaj Ukrainës.

"Jam e vetëdijshme se shumë njerëzve këtu u kujtohet periudha e tmerrshme e viteve 1990 kur shohin pamjet nga Kievi, nga Mariupoli," - tha zonja Baerbock të enjten në Sarajevë, duke iu referuar qyteteve ukrainase që janë vënë një shënjestër të sulmeve ruse.

Kryediplomatja gjermane shtoi se brezi i saj i politikanëve u rrit në krah të 350,000 refugjatëve boshnjakë të strehuar në Gjermani dhe se kjo ndikoi në formimin e tyre.

"Ne duam të jetojmë së bashku në shtëpinë europiane," - tha zonja Baerbock në ditën e parë të turneut të saj katër-ditor në Ballkanin Perëndimor, që përfshin gjithashtu ndalesa në Serbi, Kosovë dhe Moldavi.

XS
SM
MD
LG