Lidhje

SHBA paralajmëron Rusinë për krime të mundshme lufte në Ukrainë


Uashingtoni paralajmëroi të enjten Moskën për ato që disa vëzhgues i quajnë krime lufte nga forcat ruse në Ukrainë.

"Ne kemi parë njoftime shumë të besueshme të sulmeve të qëllimshme ndaj civilëve, të cilat sipas Konventave të Gjenevës do të përbënin një krim lufte", tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price, megjithëse ai nuk e akuzoi në mënyrë specifike Rusinë për kryerjen e krimeve të tilla.

Plani i Presidentit rus Vladimir Putin për të marrë me shpejtësi Ukrainën, është e qartë tashmë se ka dështuar, tha zoti Price lidhur me sulmin e Moskës ndaj Kievit që ndodhet në javën e dytë të tij. Rusia ka mohuar të ketë shënjestruar civilët gjatë sulmit të sak në Ukrainë.

Harris mbështet thirrjet për hetimin e Rusisë për krime lufte

Po sot Nënpresidentja e Shteteve të Bashkuara, Kamala Harris mbështeti thirrjet për një hetim ndërkombëtar për krime lufte ndaj Rusisë lidhur me agresionin e saj në Ukrainë dhe bombardimin e civilëve.

Gjatë një vizite në kryeqytetin e Polonisë, Varshavë, zonja Harris dënoi ato që ajo i cilësoi si "mizori të përmasave të paimagjinueshme".

Vizita e saj në Varshavë ka për qëllim shprehjen e mbështetjes amerikane për aleatët e krahut lindor të NATO-s.

Zonja Harris shprehu indinjatën për bombardimin e maternitetit të Mariupolit të mërkurën dhe skenat e evakuimit të grave shtatzëna të gjakosura.

"Absolutisht që duhet të ketë një hetim”, tha zonja Harris.

"Është e qartë për ne që Rusia po kryen krime lufte në Ukrainë", tha presidenti polak Andrzej Duda duke folur përkrah nënpresidentes amerikane.

Nënpresidentja Harris njoftoi gjithashtu se do të jepen nga Shtetet e Bashkuara fonde shtesë prej 53 milionë dollarësh në formën e ndihmave humanitare "për të mbështetur civilët e pafajshëm të ndikuar nga sulmi i pajustifikuar i Rusisë ndaj Ukrainës". Vetëm dy javë më parë, Shtetet e Bashkuara dhuruan 54 milionë dollarë ndihma me furnizime mjekësore, ushqime, batanije dhe furnizime të tjera të domosdoshme.

Të mërkurën, organizata e të drejtave të njeriut Amnesty International tha se hetimi që ajo zhvilloi për sulmin ajror të forcave ruse më 3 mars, nga i cili u njoftua se pati 47 viktima në radhët e civilëve në qytetin Chernihiv, mund të jetë një krim lufte.

Kjo organizatë globale tha se nga intervistat e zhvilluara dhe nga analiza e pamjeve filmike ka indicie se u përdorën bomba të lëshuara nga ajri që nuk drejtoheshin me preçizion, të mbiquajtura ndryshe bomba jo inteligjente, për të goditur kryesisht civilët që qëndronin në radhë për të marrë ushqim.

XS
SM
MD
LG