Lidhje

Kosovë, dështon rezoluta e opozitës për masa kundër rritjes së çmimeve


Parlamenti i Kosovës, në mungesë të kourumit, dështoi të martën në mbrëmje të miratojë një rezolutë për uljen e taksave dhe rritjen e mbështetjës për qytetarët dhe bizneset pas rritjes së çmimeve muajve të fundit.

Kosova, si shumë vende të tjera të botës, po përballet me rritje çmimesh, posaçërisht pas agresionit rus në Ukrainë. Inflacioni në janar të këtij viti arriti në 7.1 për qind, krahasuar me 0.2 për qind në janar të vitit 2021.

Rezoluta e paraqitur nga partitë opozitare kërkon nga qeveria që të përgatisë një paketë fiskale, që mundëson uljen e taksave të karburantit për tre muajt e ardhshëm, për produkte bazë të ushqimit dhe për transportin e udhëtarëve.

Partitë opozitare kritikuan qeverinë e Kosovës për mënyrën e trajtimit të situatës së ngritjes së çmimeve, duke kërkuar masa më emergjente pasi, sipat tyre, tashmë gjendja është e jashtëzakonshme.

Memli Krasniqi
Memli Krasniqi

“Ju mund të thoni se lufta në Ukrainë i ka shkaktuar këto dhe padyshim rolin kryesor e ka agresioni rus në Ukrainë por pyetja nuk është se çfarë e ka shkaktuar këtë ngritje të çmimeve, pyetja ëshë çfarë keni bërë ju ndërkohë për t’u ballafaquar me këtë krizë. Asnjë hap nuk është marr për rritje page as në sektorin publik e as privat. Qeveria po vepron si spektatore para krizës”, tha kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.

Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku

“Qeveria jonë nuk po i njeh krizat edhe madje e ka bërë një praktikë të zakonshme që çdo krizë po e konsideron si globale, kriza e pandemisë globale, kriza e energjisë globale, kriza e rritjes së çmimeve krizë globale, krejt në rregull nëse janë kriza globale çfarë po bëni ju si qeveri nacionale për t’i trajtuar ato, a jeni vetëm spektatorë? E vërteta është se qeveria i ka ndërtuar vetës një pasqyrë fiktive të zhvillimit të pashembullt ekonomik ku çdo gjë është mirë edhe kur një qeveri nuk e sheh krizën, nuk ka se si ta zgjidhë atë”, tha kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Qeveria e Kosovës tha se ka marrë masa dhe se gjatë katër muajve të fundit ka ndarë 190 milionë euro si përgjigje ndaj kësaj situate. Kryeministri Albin Kurti tha se Kosova nuk është në pozitë të mirë sa i përket luhatjes së çmimeve, pasi është ekonomi kryesisht importuese.

Albin Kurti
Albin Kurti

“Luhatjet në çmime bëjnë që bashkë me importin e mallit të importojmë edhe rritjen e çmimeve, edhe koston e atij që na e sjell mallin. Këtë po e ndryshojmë edhe duke rritur subvencionimin për prodhimin e produkteve bazë, në këtë vit të parë në qeverinë tonë, me buxhetin tonë të shtetit. Qëllimi i këtij subvencionimi është qëndrueshmëria e bujqësisë vendore, për të mbuluar pjesën më të madhe të kërkesës agregate në vend, duke u çliruar kështu nga varësia e importeve të shtrenjta”, tha ai.

Sipas Agjencisë Evropiane të Statistikave - Eurostat, Kosova është vendi me pagën më të ultë minimale në Evropë. Ndërsa aktualisht, rreth 26 mijë familje jetojnë me asistencë sociale. Kosova është e varur në masë të gjerë nga importi, në mungesë të kapacitetve të mjaftueshme të prodhimit të energjisë, të burimeve të naftës, dhe të prodhimtarisë vendore.

XS
SM
MD
LG