Lidhje

Ankaraja i kërkon Moskës të ndalë luftimet


Ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu i shtrëngon dorën homologut të tij rus Sergei Lavrov në Moskë më 16 Mars.

Ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu tha se lufta në Ukrainë duhet të ndalet dhe se Ankaraja do të vazhdojë përpjekjet diplomatike për të siguruar një armëpushim të qëndrueshëm. Komentet kryediplomati turk i bëri të mërkurën në Moskë duke folur për gazetarët pas një takimi me homologun e tij rus Sergei Lavrov.

Zoti Cavusoglu u tha gazetarëve se Turqia, një vend anëtar i NATO-s, shpresonte se Presidenti rus Vladimir Putin do të takohej me Presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelenskiy si një hap drejt paqes.

"Lufta duhet të ndalet, njerëzit nuk duhet të vdesin. Erdha këtu në Moskë me këtë arsyetim sot", tha zoti Çavusoglu.

“Ne kemi ndarë shqetësimet tona në një mënyrë të sinqertë dhe kemi bërë pjesën tonë për të lehtësuar tensionet dhe për të hapur rrugën për diplomaci”, tha ai. “Ne do të donim ta organizonim këtë takim (Putin-Zelenskiy) kur situata të arrinte në atë pikë...tek një armëpushim i qëndrueshëm”.

Zoti Lavrov tha se nuk kishte pengesa për një takim mes zotit Putin dhe zotit Zelenskiy, por ai tha se kjo do të ndodhte vetëm nëse do të nënshkruhej një marrëveshje specifike.

Javën e kaluar zoti Lavrov dhe ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba zhvilluan bisedime në Turqi në takimin e parë të kësaj natyre që kur Rusia sulmoi Ukrainën.

Turqia, e cila ndan një kufi detar me Ukrainën dhe Rusinë në Detin e Zi, ka lidhje të mira me të dyja vendet dhe është ofruar të luajë rolin e ndërmjetësit mes tyre. Ajo ka shprehur mbështetje për Ukrainën, por gjithashtu ka kundërshtuar sanksionet ndaj Moskës.

Zoti Cavusoglu tha të mërkurën se përparësi e Turqisë është evakuimi i qytetarëve të mbetur në qytetin ukrainas të rrethuar të Mariupolit, pasi më shumë se 15,000 turq ishin larguar tashmë nga vendi.

Moska ka mohuar të ketë sulmuar zonat me civile gjatë atij që e quan një "operacion special ushtarak" në Ukrainë.

Më vonë gjatë ditës së mërkurë, zyra e Presidentit turk Tajip Erdogan njoftoi se ai kishte zhvilluar një telefonatë me zotin Zelensky dhe se i kishte thënë atij se Turqia po bënte përpjekje "intensive" diplomatike për vendosjen shumë shpejt të një armëpushimi afatgjatë.

Gjithashtu zyrtarët turq thanë se zoti Erdogan i kishte thënë homologut të tij të Ukrainës se do të vazhdonte me përpjekjet për të organizuar një takim mes tij (zotit Zelenksy) dhe Presidentit Putin.

XS
SM
MD
LG