Lidhje

Të paktën dy të vdekur nga një tërmet i fuqishëm në Japoni


Tërmet në Japoni, pamje nga prefektura e Mijagit.
Tërmet në Japoni, pamje nga prefektura e Mijagit.

Një tërmet me magnitudë 7.4 ballë goditi mbrëmjen e së mërkurës brigjet e Fukushimës, në Japoni, duke shkaktuar vdekjen e dy njerëzve dhe plagosjen e rreth 100 të tjerëve. Tërmeti la më shumë se 2 milionë njerëz pa energji elektrike në zonën e Tokios.

Tërmeti e kishte epiqendrën në një thellësi prej 60 kilometrash, tha Agjencia Meteorologjike e Japonisë, e cila lëshoi një paralajmërim për cunami për pjesë të prefekturave të Mijagit dhe Fukushimës. Paralajmërimi u hoq të enjten herët. Valë me një lartësi prej 30 centimetrash u regjistruan në Ishinomaki, rreth 390 kilometra në verilindje të Tokios.

Në mars të vitit 2011, e njëjta zonë u shkatërrua nga një tërmet me magnitudë 9.0 ballë dhe cunami pasues shkaktoi vdekjen e mijëra njerëzve dhe çoi në një shkrirje në centralin bërthamor të Fukushima Daiçit. Pjesë të zonës mbeten të pabanueshme për shkak të rrezatimit të lartë.

“Tokyo Electric Power Company Holdings”, operatori i centralit në Fukushima, tha se punëtorët nuk gjetën anomali.

Dëme u raportuan në qytetin e Fukushimës, ku ranë muret e një dyqani dhe u thyen xhamat ndërtesave pranë stacionit kryesor të trenit. Në rrugë u shfaqën çarje dhe plasaritje të gypave të nëndheshëm që nxirrnin ujë.

Autoritetet po bëjnë vlerësimin e dëmeve dhe kanë paralajmëruar mundësinë e pasgoditjeve, duke u kërkuar njerëzve që të kenë kujdes.

"Ne po bëjmë maksimumin në operacionet e shpëtimit, duke i dhënë përparësi kryesore jetës së njerëzve", tha zyrtari japonez Hirokazu Matsuno.

XS
SM
MD
LG