Lidhje

Një grup vullnetarësh në Nju Jork mobilizohet për të ndihmuar ukrainasit


Një grup vullnetarësh në Nju Jork mobilizohet për të ndihmuar ukrainasit

Organizata e Kombeve të Bashkuara vlerëson se më shumë se 12 milionë ukrainas brenda vendit dhe rreth 4 milionë refugjatë do të kenë nevojë për ndihmë në muajt e ardhshëm. Disa njujorkezë kanë marrë një iniciativë për të ndihmuar Ukrainën.

Për të dytën javë radhazi, apartamenti i Daniela Matikos është i hapur për vullnetarë. Projekti filloi kur ajo mblodhi disa artikuj thelbësorë për njerëzit në Ukrainë.

“Në fillim menduam se vetëm miqtë e mi, miqtë e nënës sime, dhe miqtë e miqve tanë do të angazhoheshin në këtë përpjekje. Menduam se do të mblidhnim disa pako me ndihma, por apartamenti është mbushur me pako ndihmash”, thotë ajo.

Tani, kati i parë i pallatit të saj është shndërruar në një magazinë me pako ndihmash. Nëna e saj, Marina Matiko, një punonjëse në sektorin e shëndetësisë, publikoi informacione në rrjetet sociale mbi nevojën për dërgimin e ndihmave humanitare në Ukrainë. Njerëzit filluan menjëherë të ofronin ndihmën e tyre.

Një grup vullnetarësh në Nju Jork mobilizohet për të ndihmuar ukrainasit
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:18 0:00

“Nuk janë vetëm ukrainasit ata që po na ndihmojnë. Ka rusë, bjellorusë, turq, të gjitha kombësitë! Ne do të fitojmë!”, thotë ajo.

“Edhe djali im u bashkua me grupin tonë dhe krijoi një listë të veçantë të artikujve për ndihmat në Amazon. Shumë njerëz të tjerë u bashkuan në këtë mënyrë, madje edhe ata që nuk kanë vizituar asnjëherë Ukrainën”, thotë vullnetarja Svetlana Dubno.

Artikujt përfshijnë pajisje të ndryshme mjekësore, çizme të posaçme dhe batanije. Vetë ushtarët ukrainas dhanë informacion për gjërat që u nevojiten më së shumti.

Disa vullnetarë nga Nju Jorku planifikojnë të shkojnë në Ukrainë dhe të bashkohen me njësitë e mbrojtjes territoriale atje.

“Ai u largua për të shkuar në luftë. U nis për në Ukrainë”, thotë Viktoria për një anëtar të familjes së saj.

Mes vullnetarëve ka edhe emigrantë rusë. Për ta, lufta në Ukrainë është gjithashtu e dhimbshme.

“Ne jemi në kontakt me njerëzit në Ukrainë që po përpiqen të bindin të afërmit e tyre në Rusi mbi atë që po ndodh. Mjerisht, gjithçka është e kotë”, thotë vullnetari Igor Olshevskiy.

Vullnetarët amerikanë po punojnë në mënyra të reja për të dërguar furnizimet pasi sulmet e vazhdueshme të Rusisë në Ukrainë kanë vështirësuar dërgimin e ndihmave atje.

Avionët me ndihma humanitare nga Shtetet e Bashkuara mbërrijnë në Varshavë dhe më pas transferohen në Lviv me autobusë dhe makina.

“Ne kemi krijuar një fondacion bamirësie përmes të cilit mbledhim ndihma humanitare për ata që po mbrojnë vendin dhe i dërgojmë ato në zonat e luftimit. Ne dërgojmë ndihma edhe në maternitete”, thotë vullnetari Pavel Chumak.

Materiale të kamufluara dhe pelena për fëmijët, simbolet e këtij kapitulli të ri në histori. Janë mbledhur edhe çanta me ushqim për kafshët shtëpiake. Edhe qentë janë në vijën e frontit, duke ndihmuar në gjetjen e njerëzve nën rrënoja.

“Unë kam një shok atje që sapo ma dërgoi këtë. Këtu shihet universiteti ku kemi studiuar bashkë (i shkatërruar nga bombardimet e forcave ruse). Universiteti Kombëtar i Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Arkitekturës në Kharkiv. Ai po më telefonon tani”, thotë vullnetari Vladimir Fikhman.

Miku i Vladimirit thotë se ka të shtëna të shumta në Kharkiv, ndërsa Vladimiri i tregon atij se ndodhet në një qendër të grumbullimit të ndihmave që ai shpreson se do të mbërrijnë së shpejti në Ukrainë.

Katedralja Ortodokse e Shën Gjonit në Bruklin, që ndodhet aty afër, ka ofruar hapësirën e saj për të ndihmuar vullnetarët të mbledhin dhe të organizojnë pakot me ndihma.

Vullnetarët thonë se ky projekt po i ndihmon ata ta luftojnë ndjenjën se janë të pafuqishëm para një lufte brutale që po zhvillohet larg tyre.

XS
SM
MD
LG