Heqja e masave kufizuese të shkaktuara nga pandemia ka shtuar me shpejtësi komunikimin mes artistëve nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe më gjerë. Fundjava solli në Shkodër piktoren nga Kosova, Bardha Buza dhe piktorin Serhat Emrulai nga Maqedonia e Veriut me dy ekspozitat e tyre personale.
Piktorja Buza thotë se ka sjellë në Shkodër një histori të Kosovës me përmbledhje dhe simbolikë lulet e marsit:
“Dhe e quajta “Lulet e Marsit” sepse ne me marsin kemi edhe një dhimshuri që nga periudha e vitit 1980, 1981’, me demonstratat e para. Po kështu vazhdoi edhe në periudhën e fundit. Të gjitha trazirat, të gjitha ndodhitë më të mëdha ndodhën në muajin mars”.
Përmes luleve të marsit piktorja Buza thotë se dëshiron të dëshmojë se jemi duke shkuar nga paqja.
Ndërsa ekspozita “Koha nuk kishte vendosur ndryshe”, e piktorit shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Serhat Emrulai, sjell për publikun, përmes instalacionit “Pritja”, gjendjen e shqiptarëve në një shoqëri multietnike, siç është ajo e Maqedonisë së Veriut.
“Për mua si artist, pritja në Maqedoni është diçka që ne e presim me kohë për shkak se në Maqedoni jeton një kulturë shumë etnike, multietnike, edhe te drejtat tona nuk janë të barabarta me ato të maqedonasve. Kështu që, për mua si artist, kjo është pritja më e madhe jo veç për mua, por edhe për shumë e shumë qytetarë të mij edhe për të gjithë shqiptarët e Maqedonisë”, thotë ai.
Për piktoren nga Kosova, Bardha Buza, është e rëndësishme që, përmes komunikimit, mesazhet që artistët përcjellin përmes krijimtarisë së tyre, të shtrihen kudo ku jetojnë shqiptarët dhe më gjerë.
“Pas luftës kemi filluar faktikisht me organizime dhe aktivitete të kolonive, simpoziume të ndryshme, që janë edhe ndërkombëtare, por edhe gjithëshqiptare. Kjo na ka ndihmu shumë, sepse jemi njoftë, po njifemi tani, jemi familjarizu mes vete, komunikojmë vazhdimisht edhe e kemi ba nji lidhje të fortë mes vedi. Edhe, normalisht, kjo të ndihmon edhe në krijimtari”, thotë ajo.
Duke ndjekur ekspozitën e piktorit shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Serhat Emrulait, piktori dhe profesori i artit, Vladimir Myrtezai, thotë se vlerat artistike lëvizin dhe se, në një shoqëri të lirë, komunikimi mes artistëve është i hapur:
“Komunikimi është më i hapur, është më i zhdërvjelltë. Vijnë, shkojmë. Zhvendosen kulturat, zhvendoset dialogu. Më pëlqen kjo pjesa si xhep, si një gjë e papritur, si një gjë që ende nuk ka marrë formë, fortë të themi”.
Komunikimi mes artistëve shqiptarë të rajonit, gjithnjë e më shumë po ndihmon në zgjerimin e njohjes së tyre nga ana e publikut, por edhe problematikave që përjetojnë shqiptarët në këtë rajon.