Lidhje

Vazhdojnë flukset me refugjatë nga Ukraina në kufirin Meksikë-SHBA 


Asylum seekers from Ukraine wait for US border authorities to allow them in on the Mexican side of the San Ysidro Crossing port in Tijuana, Baja California state, Mexico, on March 24, 2022.

Kombet e Bashkuara thonë se më shumë se 3.5 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina, që pas nisjen së agresionit rus një muaj më parë. Së fundmi administrata Biden premtoi se të marrë në Shtetet e Bashkuara 100 mijë ukrainas të zhvendosur nga lufta. Korrespodenti i Zërit të Amerikës, Mike O'Sullivan raporton nga Tijuana, një qytet në Meksikë, nga ku një numër i madh shtetasish nga Ukraina po përpiqen të hyjnë në SHBA.

Vazhdojnë flukset me refugjatë nga Ukraina në kufirin Meksikë-SHBA
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:57 0:00

Dhjetëra mijëra njerëz kalojnë çdo ditë kufirin për në Shtetet e Bashkuara nga pika kufitare në Tijuana të Meksikës. Shumë prej tyre janë nga Ukraina e që shpresojnë të marrin azil në Shtetet e Bashkuara.

Irina, u largua nga Ukraina një muaj më parë me djalin e saj 14-vjeçar.

“U nisa nga Kievi për në Odesa. Më pas kalova kufirin dhe udhëtova për në Moldavi, Rumani, Hungari, Poloni, Gjermani dhe më pas në Meksikë. Shpresoj të futem në SHBA”, thotë ajo.

I ati dhe bashkëshorti i Irinës qëndruan në Ukrainë për të luftuar kundër forcave ruse.

“Ata më thanë se duan të qëndrojnë, të luftojnë për vendin tonë”, thotë më tej Irina për Zërin e Amerikës. Autoritetet kufitare e lejuan Irinën dhe djalin e saj të futet në Shtetet e Bashkuara.

Por një çift nga Rusia nuk pati të njëjtin fat. Gjatë bisedës me Zërin e Amerikës ata thanë se janë kundër luftës së nisur nga presidenti Putin. Për të mos vënë në rrezik familjarët e tyre që ndodhen ende në Rusi, ata kërkuan të mos identifikohen.

“Jemi të lumtur që miqtë tanë ukrainas po lejohen të futen në SHBA, por edhe ne gjithashtu kemi nevojë për ndihmë.”

Hyrja në Meksikë nuk është e vështirë as për ukrainasit dhe as për rusët.

“Është shumë e lehtë të marrësh avionin për në Meksikë dhe të vish si një turist, është shumë e lehtë për evropianët”, thotë Enrique Lucero Vazquez nga Zyra e Kontaktit të Migrantëve në Tijuana.

Për shumë ukrainas, hyrja në Shtetet e Bashkuara nuk ka qenë e vështirë. Për të tjerë duhet një vizë amerikane.

Alina Gordon, vullnetare amerikane që ndihmon ukrainasit e zhvendosur shqetësohet gjithashtu edhe për shtetasit rusë.

“Ata kanë vërtet nevojë për mbështetjen tonë. Nuk kanë ku të kthehen. Ata nuk kanë shtëpi, jeta e tyre është në rrezik”, thotë ajo.

Shumë ukrainas po ndjekin me vëmendje atë që po ndodh në vendin e tyre.

Sveta tregon e tronditur atë që ndodhi në Mariupol, ku të paktën 300 njerëz humbën jetën nga një sulm me raketa.

“Kishat, shtëpitë, dyqanet, qendrat tregtare, spitalet, gjithçka është shkatërruar”, tregon ajo për Zërin e Amerikës.

“Mamaja ime është ende në Odesa së bashku me gjyshen dhe tezen. Pothuajse të gjithë të afërmit e mi janë aty”, tregon Maria, një tjetër refugjate.


“Jam shumë i trishtuar për Ukrainën. Jam shumë i trishtuar për atë që po ndodh në Ukrainë”, thotë Oleksandr Roman, refugjat nga Ukraina.

Refugjatët ukrainas e kanë përshëndetur lajmin se Ushingtoni do të pranojë 100 mijë ukrainas të zhvendosur nga lufta.

“Mendoj se kjo është një gjë shumë e mirë, faleminderit shumë për këtë vendim”, thotë Olga, refugjate nga Ukraina.

Të gjithë ata që janë larguar nga Ukraina thonë se shpresojnë që një ditë, me largimin e forcave ruse, të kthehen në shtëpi pranë familjarëve të tyre.

XS
SM
MD
LG