Lidhje

Presidenti Biden: Putini nuk duhet të qëndrojë në pushtet


Gjatë një fjalimi të rëndësishëm, që i dha fund vizitës së tij dyditore në Poloni, Presidenti amerikan Joe Biden, tha se Presidenti rus Vladimir Putin nuk duhet të qëndrojë më në pushtet dhe se lufta e tij kundër Ukrainës ka qenë një dështim strategjik për Moskën. Komentet zoti Biden i bëri të shtunën para një turme njerëzish të mbledhur në Varshavë.

Presidenti tha se sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës kërcënon sigurinë globale dhe se vendet demokratike duhet të përgatiten për një luftë të gjatë kundër autokracisë.

"Perëndimi është tashmë më i fortë dhe më i bashkuar se kurrë", tha Presidenti Biden para qindra zyrtarëve të zgjedhur polakë, studentëve e personelit të ambasadës amerikane.

Duke e quajtur luftën kundër Vladimir Putinit një "betejë të re për liri", Presidenti Biden tha se dëshira e Vladimir Putinit për "pushtet absolut" ishte një dështim strategjik për Rusinë dhe një sfidë e drejtpërdrejtë për paqen evropiane që ka mbizotëruar që nga Lufta e Dytë Botërore.

Komentet e Presidentit Biden në Kështjellën Mbretërore të Varshavës erdhën pas një takimi të tij me refugjatët ukrainas që janë strehuar në kryeqytetin polak, ku zoti Biden e cilësoi Presidentin rus Putin "kasap", duke iu referuar asaj që po ndodh në Ukrainë.

Më herët Presidenti amerikan garantoi Poloninë se Shtetet e Bashkuara do të mbronin çdo pëllëmbë të NATO-s në rast të një sulmi nga Rusia.

Gjatë një takimi me Presidentin polak Andrzej Duda ai tha se Varshava po mbante barrën më të madhe të krizës së refugjatëve të krijuar nga lufta në Ukrainë, një vend fqinj me të.

"Stabiliteti në Evropë është jashtëzakonisht i rëndësishëm për Shtetet e Bashkuara, për sa i përket interesave tona jo vetëm në Evropë, por në mbarë botën", tha Presidenti Biden gjatë takimit me homologun e tij polak në prani të delegacioneve respektive.

Zoti Biden tha se Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë nenin 5 të Traktatit të NATO-s si një angazhim të shenjtë duke shtuar se uniteti i aleancës ushtarake perëndimore ishte i një rëndësie të madhe. Neni 5, nënvizon një parim unik dhe të qëndrueshëm që lidh anëtarët e aleancës së bashku, duke i angazhuar ata të mbrojnë njëri-tjetrin.

Presidenti amerikan i tha homologut të tij polak se ai e kuptonte që Polonia po merrte përsipër një përgjegjësi të madhe, por kjo sikurse tha ai, duhet të jetë e gjitha përgjegjësi e NATO-s. Presidenti amerikan tha se ishte i bindur se Vladimir Putin po bënte llogari për të përçarë NATO, gjë që nuk ka qenë në gjendje ta bëjë, pasi siç theksoi ai: "Aleanca ka qëndruar e gjitha bashkë”.

Duke i bërë jehonë një prej motoje jozyrtare të Polonisë presidenti amerikan i tha zotit Duda se: "Liria juaj është liria jonë". Që nga fillimi I luftës më shumë se 3.7 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina dhe mbi 2 milionë prej tyre ndodhen në Poloni.

XS
SM
MD
LG