Lidhje

Izrael: Dy arabë qëllohen për vdekje pasi vrasin dy vetë


Dy arabë të armatosur vranë dy persona në Izrael të dielën dhe më pas u qëlluan për vdekje, tha një shërbim mjekësor izraelit.
Ngjarja ndodhi ndërsa Sekretari amerikan i Shtetit dhe tre ministra të jashtëm arabë ndodheshin në Izrael për një takim të nivelit të lartë.

Askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin në qytetin Hadera, rreth 50 km në veri të Tel Avivit.

Pesë ditë më parë një shtetas arab i Izraelit goditi me thikë të paktën katër persona në qytetin jugor të Beershebas dhe më pas u vra nga një kalimtar.

Pamjet e kamerave të sigurisë të transmetuara nga stacionet televizive izraelite tregonin dy burra duke hapur zjarr në një rrugë kryesore në Hadera.

"Për fat të mirë, oficerët tanë arritën të neutralizojnë sulmuesit dhe të parandalojnë një sulm më të madh terrorist," tha zëdhënësi i policisë izraelite Eli Levy në
televizionin Kan.
Në Izraelin jugor, ministrat e jashtëm të Emirateve të Bashkuara Arabe, Bahreinit dhe Marokut, tre vende që normalizuan marrëdhëniet me Izraelin në vitin 2020, u mblodhën për një takim të nivelit të lartë ku merrte pjesë edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Zyrtarët izraelitë të sigurisë kanë paralajmëruar për një përshkallëzim të sulmeve ndaj izraelitëve në prag të muajit të shenjtë mysliman të Ramazanit, në prill të këtij viti - një periudhë zakonisht e paqëndrueshme.

Mbreti Abdullah i Jordanisë do të takohet të hënën me presidentin palestinez Mahmud Abbas në Bregun Perëndimor të pushtuar në një lëvizje që shihet gjerësisht në Izrael si një përpjekje për të qetësuar tensionet përpara periudhës së festave.
XS
SM
MD
LG