Lidhje

Koalicioni i Dritan Abazoviqit, fitues i zgjedhjeve vendore në Ulqin


Kremtime pas zgjedhjeve të së dielës në Ulqin
Kremtime pas zgjedhjeve të së dielës në Ulqin

Sipas rezultateve paraprake të zgjedhjeve për pushtetin vendor në Ulqin, koalicioni parazgjedhor, “Fillimi i ri”, i Partisë Demokratike dhe Alternativës Shqiptare si dhe tre partive të tjera, në mesin e tyre edhe Lëvizja Qytetare “URA” e mandatarit për formimin e qeverisë së re të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, fitoi 15 mandate në Kuvendin 33 vendesh të Ulqinit.

Ndërkaq, koalicioni i dy forcave politike shqiptare, Unionit Demokratik të Shqiptarëve dhe Lidhjes Demokratike, fitoi 5 mandate, Forca e Re Demokratike, e cila ka dalë e vetme në këto zgjedhje fitoi 5 mandate, koalicioni i Partisë Demokratike Socialiste të presidentit Milo Gjukanoviq me Partinë Boshnjake, 5 mandate dhe partia e spektrit politik malazez, Demokratët, fituan 2 mandate.

Gjithsej 5 lista zgjedhore morën pjesë në zgjedhjet e së dielës në komunën e Ulqinit, e banuar me shumicë shqiptare.

Në këtë komunë të drejtë vote kishin mbi 20 mijë banorë, por sipas raporteve të komisionit komunal të zgjedhjeve në Ulqin, vetëm rreth 55 për qind e tyre morën pjesë në votime.

Procesi zgjedhor, sipas zyrtarëve komunal dhe vëzhgueseve, ishte i qetë dhe pa ndonjë parregullsi të theksuar. Ata thanë se edhe aspekti teknik i procesit zgjedhor ishte i rregullt dhe pa ndonjë shkelje procedurale.

Edhe në qytetin verior të Malit të Zi, Berane, u mbajtën zgjedhjet vendore por pjesëmarrja atje ishte më e madhe, rreth 70 për qind.

Në këtë komunë garuan 8 lista zgjedhore dhe lufta më e ashpër politike ishte mes Partisë Demokratike Socialiste të presidentit aktual të Malit të Zi, Milo Gjukanoviç dhe partive pro-serbe dhe pro-ruse, që po përpiqen ta ruajnë pushtetin në këtë komunë.

Sipas rezultateve paraprake koalicioni i mbledhur rreth Partisë Demokratike të Socialistëve fitoi më shumë vota dhe do të ketë 9 mandate në Kuvendin e ri të Beranes.

Menjëherë pas tyre rreshtohet Paria popullore Serbe me 7 mandate, ndërsa lista Për Ardhmërinë e Beranes (Fronti Demokratik) dhe Demokratët do të kenë nga gjashtë mandate.

XS
SM
MD
LG