Miliarderi rus Roman Abramovich dhe negociatorët e Ukrainës për bisedimet e paqes dyshohet se kanë shfaqur simptoma helmimi në fillim të këtij muaji pas një takimi në Kiev. Lajmi u raportua të hënën nga gazeta amerikane “Wall Street Journal” dhe faqja investigative “Bellingcat”, të cilat kanë cituar persona në dijeni të kësaj çështjeje.
Sipas “Wall Street Journal”, simptoma helmimi janë shfaqur tek zoti Abramovich, i cili ka pranuar një kërkesë të Ukrainës për të ndihmuar në negociatat për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë, si dhe të paktën dy anëtarë të lartë të ekipit ukrainas.
Por zyrtarët ukrainas i hodhën poshtë këto njoftime. I pyetur rreth dyshimeve për helmin, negociatori ukrainas Mykhailo Podolyak tha se ka shumë spekulime e teori të ndryshme konspirative. Rustem Umerov, një tjetër anëtar i ekipit negociator, u bëri thirrje njerëzve që të mos i besojnë informacioneve të paverifikuara siç tha ai.
Kremlini nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese të dërguar me email për komente rreth kësaj çështjeje.
Në artikullin e “Wall Street Journal”, thuhej se zoti Abramovich dhe negociatorët e tjerë shfaqën simptoma të tilla si skuqje të syve, lotim të vazhdueshëm e dhimbje të tyre, si dhe rrjepje të lëkurës në fytyrë e duar.
Gazeta shkruan se tashmë gjendja e zotit Abramovich dhe negociatorëve ukrainas, është përmirësuar dhe se jeta e tyre nuk ndodhet në rrezik.
Një person në dijeni të kësaj çështjeje konfirmoi incidentin për agjencinë “Reuters”, duke shtuar se kjo nuk ishte bërë aspak pengesë për zotin Abramovich që të ndalte angazhimin e tij lidhur me negociatat.
“Bellingcat” shkruante se ekspertët që ekzaminuan incidentin kishin dalë në përfundimin se shkak më i mundshëm, për shfaqjen e simptomave ishte helmimi me një armë kimike e cila nuk dihet.
Duke cituar ekspertët, “Bellingcat” tha se doza dhe lloji i toksinës së përdorur nuk kishte qenë i mjaftueshëm për të vënë në rrezik jetën e personave të tjerë dhe se me shumë gjasa kishte patur si qëllim vetëm t'i trembte ata pa u shkaktuar dëme të përhershme. Të prekurit nga sulmi i dyshuar thanë se nuk ishin në dijeni se kush mund të kishte patur interes për një sulm të tillë.
Forcat ruse sulmuan Ukrainën më 24 shkurt në atë që Presidenti Vladimir Putin e quan një operacion special ushtarak për çmilitarizimin e Ukrainës. Kievi dhe Perëndimi thonë se zoti Putin po zhvillon një luftë agresive e të paprovokuar. Kremlini ka thënë se zoti Abramovich luajti një rol në fillim të bisedimeve për paqe mes Rusisë dhe Ukrainës dhe se tashmë procesi ndodhet në duart e ekipeve negociatore të të dyja palëve. Palët do të takohen në Stamboll të martën për bisedimet e para ballë për ballë pas më shumë se dy javësh.
Perëndimi ka vendosur sanksione të rënda ndaj miliarderëve rusë si zoti Abramovich, si dhe kompanive e zyrtarëve rusë, në një përpjekje për të detyruar Vladimir Putinin që të tërhiqet nga Ukraina.