Lidhje

Fleming: Rusia po kërkon objektiva për sulme kibernetike në vendet që kundërshtojnë luftën në Ukrainë


Jeremy Fleming

Një nga drejtuesit e zbulimit britanik paralajmëroi se Kremlini është në kërkim të objektivave kibernetike dhe po dërgon mercenarë për të mbështetur fushatën e tij ushtarake të ngecur në Ukrainë.

Jeremy Fleming, i cili drejton agjencinë britanike të spiunazhit elektronik GCHQ, vlerësoi "operacionin informativ" të presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy si shumë efektiv kundër përpjekjeve masive të Rusisë për dezinformim dhe përhapje të propagandës për luftën në Ukrainë.

Ndërsa kishte pritshmëri që Rusia do të fillonte një sulm të madh kibernetik si pjesë e fushatës së saj ushtarake, zoti Fleming tha se një veprim i tillë nuk ka qenë kurrë pjesë qendrore e strategjisë standarde të Moskës për luftën.

“Kjo nuk do të thotë se ne nuk kemi parë përpjekje kibernetike në këtë konflikt. Ka patur shumë aktivitete kibernetike", tha Fleming në një fjalim në Kanberra të Australisë, thuhet në një njoftim të publikuar të mërkurën në Londër.

Ai tha se Qendra Britanike e Sigurisë Kibernetike "GCHQ" ka gjetur shenja të "synimit të vazhdueshëm" nga Rusia për të shkatërruar qeverinë dhe sistemet ushtarake të Ukrainës.

"Ne kemi parë atë që duket si një përhapje e aktivitetit që prek vendet përreth", tha zoti Fleming. "Dhe sigurisht kemi parë shenja që sugjerojnë se aktorët kibernetikë të Rusisë po kërkojnë objektiva në vendet që kundërshtojnë veprimet e tyre."

Ai nuk dha detaje të tjera për këto, por tha se Britania dhe aleatët e tjerë perëndimorë do të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën në forcimin e mbrojtjes së saj kibernetike.

Zoti Fleming shtoi gjithashtu se mercenarët rusë po dislokohen në zonat e luftës, duke thënë se grupi privat Wagner po përgatitej të dërgonte "numër të madh personeli" në Ukrainë për të luftuar përkrah ushtarëve rusë.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian e konsiderojnë grupin Wagner si një vegël të ushtrisë ruse. Kremlini e mohon se ky grup ekziston.

Wagner "po shqyrton zhvendosjen e forcave nga konfliktet e tjera dhe rekrutimin e luftëtarëve të rinj për të rritur numrin e tyre. Këta ushtarë ka të ngjarë të sakrifikohen në përpjekje për të kufizuar humbjet ushtarake ruse", tha ai.

Zyrtarët britanikë thanë një ditë më parë se prisnin që grupi Wagner të dërgonte deri në 1000 mercenarë në Ukrainë pasi ushtria e rregullt ruse pësoi humbje të mëdha.

Zoti Fleming tha gjithashtu se presidenti rus, Vladimir Putin, kishte bërë "një vlerësim shumë të gabuar" të shanseve të tij për një fitore të shpejtë ushtarake në Ukrainë.

Kina, e cila dëshiron të luajë një rol më të madh në vendosjen e rregullave të reja të rendit global, duhet të ketë kujdes nga rreziqet që paraqet aleanca e saj e ngushtë me Rusinë, e cila "me dashje dhe në mënyrë të paligjshme i shpërfill të gjitha rregullat", tha ai.

XS
SM
MD
LG