Lidhje

Zgjedhjet në Serbi – Vuçiç siguron edhe një mandat


Presidenti aktual serb, Aleksandër Vuçiç, është fitues i zgjedhjeve të së dielës në Serbi, ku ai u përball me një opozitë që zotohej të luftojë korrupsionin dhe të përmirësojë mbrojtjen e mjedisit.

Presidenti Vuçiç, siguroi kësisoj një mandat të dytë pesë-vjeçar mes premtimit për paqe e qëndrueshmëri, ndërsa agresioni rus në Ukrainë e ka vënë Serbinë nën trysninë e perëndimit për të zgjedhur midis lidhjeve të saj tradicionale me Moskën dhe aspiratave për t'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

Vëzhguesit thanë se pjesëmarrja në zgjedhje deri në orën 19:00, një orë para mbylljes së qendrave të votimit, ishte 54.6 për qind, një rritje e konsiderueshme në krahasim me 44.9 për qind sa ishte në vitin 2020.

Rezultatet e para zyrtare nuk priten para së hënës në mbrëmje, por anketat flasin se presidenti Vuçiç është fitues që në raundin e parë ndërsa i dyti radhitet Zdravko Ponosh, një gjeneral në pension.

Opozita kryesisht bojkotoi zgjedhjet parlamentare në vitin 2020, duke lejuar Partinë Përparimtare Serbe të Aleksandër të Vuçiçit dhe aleatëve të tij të mbajnë 188 vende në parlamentin me 250 deputetë.

Agresioni rus në Ukrainë më 24 shkurt ushtroi ndikim të madh në fushatën në Serbi, e cila është pothuajse tërësisht e varur nga gazi rus, ndërsa ushtria e saj mban lidhje me ushtrinë ruse.

Kremlini gjithashtu mbështet kundërshtimin e Beogradit ndaj pavarësisë së Kosovës.

Megjithëse Serbia mbështeti dy rezoluta të Kombeve të Bashkuara që dënojnë agresionin rus në Ukrainë, ajo refuzoi të vendosë sanksione kundër Moskës.

Një politikan veteran që shërbeu si ministër i Informacionit në fund të viteve të 90-ta në qeverinë e ish presidentit serb, Slobodan Millosheviç, Aleksandër Vuçiç pohon të jetë shndërruar nga një nacionalist i flaktë në një ithtar të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por edhe të neutralitetit ushtarak dhe lidhjeve me Rusinë dhe Kinën.

Opozita dhe organizatat humanitare e akuzojnë atë dhe aleatët e tij për një stil sundimi autokratik, korrupsion, nepotizëm, kontroll të mediave, sulme ndaj kundërshtarëve politikë dhe lidhje me krimin e organizuar. Presidenti Vuçiç dhe aleatët e tij i kanë mohuar vazhdimisht këto akuza.

Shqiptarët në Luginën e Preshevës, kishin mundësinë të zgjedhin mes 20 kandidatëve për deputetë nga “Koalicioni i shqiptarëve të luginës” që udhëhiqet nga Shaip Kamberi i cili deri tani ka mbajtur postin e deputetit dhe “Alternativa Demokratike shqiptare”, që udhëhiqet nga Shqiprim Arifi, ish kryetar i komunës së Preshevës.

Pas zgjedhjeve të vitit 2020, shqiptarët e Luginës së Preshevës janë përfaqësuar me tre deputetë në parlamentin prej 250 vendesh të Serbisë dhe përfaqësuesit politikë shpresojnë që të përsërisin këtë përfaqësim me gjithë ndarjet e brendshme.

Pjesëmarrja në zgjedhjet në rajonin e banuar me shumicë shqiptare ishte e ultë ndërsa vëzhguesit thanë se kutitë e votimit për presidentin e Serbisë ishin pothuajse bosh.

XS
SM
MD
LG