Lidhje

Covid, konfirmohet dhe në Shqipëri, prania e nënvariantit BA2 të Omicronit


Në Shqipëri, Instituti i Shëndetit Publik bëri të ditur sot se është konfirmuar prania e qarkullimit të varianteve BA1 dhe BA2 të Omicron, lloji i Koronavirusit i shfaqur në vend, në fund të vitit të kaluar.

Sipas analizave të mbërritura nga një laborator i referencës në Gjermani, në 86 përqind të mostrave është konstatuar prania e nënvariantit BA1, dhe vetëm 8.3 të nënvariantit BA2. Por sipas Artan Simakut, epidemiolog pranë Institutit të Shëndetit Publik, në javët në vijim nënvarianti BA2 pritet të bëhet dominues, për shkak të transmetueshmërisë, gati 30 përqind më të lartë, se sa Omicroni.

Aktualisht Autoritetet shqiptare kanë hequr thuajse të gjitha masat kufizuese, ndërsa rastet e reja prej më shumë se dy muajsh kanë ardhur në rënie, me një mesatare ditore në javën e fundit, prej rreth 45 të infektuarish. Në spitale numri i pacientë është reduktuar ndjeshëm, duke zbritur në 15 të shtruar, ndërsa në të gjithë vendin janë më pak se 500 persona të prekur.

Autoritetet shëndetësore megjithatë po përsërisin thirrjen për vaksinimin e plotë të popullatës. Deri më tani me të dyja dozat rezulton e vaksinuar gati 57 përqind e moshës mbi 16 vjeç, ndërsa në raport me totalin e popullsisë, gati 46 përqind.

XS
SM
MD
LG