Lidhje

Oklahoma, ligjvënësit miratojnë ligjin që e bën abortin të paligjshëm


Aktivistët në favor të së drejtës së abortit duke protestuar përpara Kapitolit të Oklahomas (5 prill 2022)

Dhoma e Përfaqësuesve në shtetin amerikan Oklahoma dha miratimin përfundimtar legjislativ për një ligj që do ta bëjë vepër penale bërjen e abortit.

Ligji u miratua të martën me një votim 70-14, me pak diskutim dhe pa debat. Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga republikanët do t'ia dërgojë ligjin për nënshkrim Guvernatorit republikan Kevin Stitt, i cili është shprehur më parë se do të nënshkruajë çdo ligj kundër abortit që mbërrin në tavolinën e tij.

Ky ligj është vetëm një ndër disa propozime kundër abortit që janë paraqitur këtë vit në Legjislaturën e Oklahomas, pjesë e një tendence të shteteve që udhëhiqen nga republikanët që po miratojnë legjislacion të ashpër anti-abort, ndërsa Gjykata e Lartë me shumicë konservatore po shqyrton mundësinë e heqjes së të drejtave për abortin të përcaktuara pothuajse 50 vjet më parë.

Ligji i Oklahomas, i cili u miratua në senat vitin e kaluar, bën një përjashtim vetëm për abortin e bërë për të shpëtuar jetën e nënës, tha Ligjvënësi republikan Jim Olsen, i cili paraqiti projektligjin. Sipas këtij ligji, një person i gjendur fajtor për kryerje aborti mund të përballet me 10 vite burgim dhe një gjobë prej 100 mijë dollarësh.

Jim Olsen
Jim Olsen

Zoti Olsen sqaroi se ndëshkimi do të jetë për doktorin dhe jo për gruan që aborton.

Ligje të ngjashme të miratuara nga Legjislatura e Oklahomas dhe shtete të tjera konservatore janë bllokuar nga gjykatat si anti-kushtetuese, por ligjvënësit që janë kundër abortit janë inkurajuar nga vendimi i Gjykatës së Lartë për t'i lejuar në fuqi kufizimet e reja ndaj abortit të vendosura nga Teksasi.

Ligji i ri i Teksasit, më kufizuesi ndaj abortit në Shtetet e Bashkuara prej dekadash, e lë zbatimin në duart e qytetarëve privatë, të cilët mund të shpërblehen me 10 mijë dollarë nëse arrijnë të padisin një klinikë ose çdokënd që ndihmon një paciente të abortojë. Ligji i Teksasit ndalon abortin nga momenti që pikaset aktivitet kardiak, zakonisht në javën e gjashtë të shtatzanisë, pa bërë ndonjë përjashtim për rastet e përdhunimit apo inçestit.

XS
SM
MD
LG