Lidhje

SHBA godet Rusinë me sanksione për krime lufte, Evropa ndjek të njëjtin hap


Shtetet e Bashkuara njoftuan të mërkurën sanksione që kanë vëndosur në shënjestër dy vajzat e mëdha të Presidentit rus Vladimir Putin dhe njoftuan se po ashpërsojnë masat kundër bankave ruse lidhur me ato që Uashingtoni i cilëson si krime lufte në Ukrainë.

Masat e ndërmarra ndaj Sberbank dhe Alfa Bank, nënkuptojnë një bllokim të parave që kalojnë nëpërmjet sistemin financiar të SHBA-ve dhe ndalojnë amerikanët të bëjnë biznes me këto institucione.

Duke folur mbi sanksionet e reja Presidenti Biden tha se Rusia tashmë ka dështuar me luftën e saj duke përmendur tërheqjen e forcave ushtarake ruse nga kryeqyteti ukrainas Kiev. Zoti Biden paralajmëroi se megjithate lufta nuk ka përfunduar ende.

"Kjo luftë mund të vazhdojë për një kohë të gjatë, por Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të qëndrojnë me Ukrainën dhe ukrainasit në luftën e tyre për liri", tha Presidenti Biden. "Ne do të vazhdojmë të ndrydhim aftësinë e Rusisë për t'u rritur gjatë vitete në vijim", shtoi ai.

Përveç sanksioneve që synojnë dy vajzat e mëdha të zotit Putin, Mariya Putina dhe Katerina Tikhonova, SHBA-të kanë vendosur në shënjestër edhe kryeministrin Mikhail Mishustin, bashkëshorten dhe fëmijët e ministrit të Jashtëm rus Sergej Lavrov, si dhe anëtarët e Këshillit të Sigurimit të Rusisë, mes tyre Dmitry Medvedev, i cili ka mbajtur më parë detyrën e ish-president dhe kryeministrit të vendit.

Sanksionet synojnë të bllokojnë qasjes e të gjithë anëtarëve të rrethit të ngushtë familjar të zotit Putin në sistemin financiar amerikan dhe ngrijnë çdo pasuri që ata kanë në Shtetet e Bashkuara.

Një zyrtar i lartë amerikan tha për gazetarët se nëse Presidenti Putin ndryshon qëndrim për Ukrainën, sanksionet mund të ngadalësohen, ndoshta edhe të hiqen.

Bashkimi Evropian pritet gjithashtu që së shpejti të ndërmarrë hapa shtesë, përfshirë një ndalim të investimeve të reja në Rusi dhe një embargo ndaj qymyrit, me daljen në pah të provave të reja se pas mizorive në Buça të Ukrainës, qëndron Moska.

Më herët gjatë ditës së sotme Presidenti Joe Biden tha se raundi më i fundit i sanksioneve do të ishte shkatërrues për Rusinë.

E kam bërë të qartë se Rusia do të paguajë një çmim të rëndë e të menjëhershëm për mizoritë e saj në Buça”, shkruante Presidenti Biden në një postim në Twitter.

Zoti Biden pritet të nënshkruajë një urdhër ekzekutiv që do të ndalojë investimet e reja në Rusi nga amerikanët, pavarësisht se ku jetojnë ata. Sipas Shtëpisë së Bardhë, Departamenti amerikan i Thesarit po përgatit të tjera sanksione kundër ndërmarrjeve shtetërore ruse.

Britania gjithashtu njoftoi ngrirjen e pasurive që lidhen me Sberbank dhe Bankën e Kreditit të Moskës ndërsa vendosi sanksione ndaj tetë oligarkëve rusë, të cilët Vladimir Putini po i përdor për të mbështetur financiarisht luftën.

Së bashku me aleatët tanë, ne po i tregojmë elitës ruse se nuk mund t’i lajë duart nga mizoritë e kryera me urdhër të Putinit”, tha Sekretarja e Jashtme britanike Liz Truss.

Britania kishte njoftuar më parë një plan për të hequr gradualisht nga përdorimi naftën ruse, e cila përbën 8% të importeve të këtij vendi. Rusia është furnizuesi kryesor i qymyrit për Britaninë, por në dekadën e fundit kërkesa në vend për karburantin ndotës ka rënë.

Britania nuk i ka dhënë fund importeve të gazit natyror rus, i cili përbën 4% të importeve të saj, por ka njoftuar se do të marrë një vendim të tillë sa më shpejt të jetë e mundur.

Videot dhe imazhet e trupave në rrugët e qytetit të Buçës kanë shkaktuar një valë indinjate mes aleatëve perëndimorë, të cilët si përgjigje kanë hartuar plane që parashikojnë sanksione të reja.

Propozimi i Komisionit Evropian për të ndaluar importet e qymyrit do të ishte sanksioni i parë i BE-së ndaj industrisë fitimprurëse ruse të energjisë, lidhur me luftën e saj në Ukrainë.

Shefi i Politikës së Jashtme të BE-së Josep Borrell, tha se energjia ishte çelësi për të goditur “arkën e luftës së Presidentit rus Vladimir Putin”.

Një miliard euro është ajo që ne i paguajmë Putinit çdo ditë për energjinë që ai na ka dhënë që nga fillimi i luftës. Deri tani ne i kemi dhënë 35 miliardë euro. Krahasoni atë me një miliard që i kemi dhënë Ukrainës për armë”, tha zoti Borrell.

Intensifikimi i vazhdueshëm i sanksioneve më shumë sesa një shenjë dobësie është një rritje e trysnisë kundër Rusisë ndërsa ajo tashmë po kërkon investime të huaja e produkte bazë, u tha gazetarëve Brian Deese, drejtor i Këshillit Ekonomik Kombëtar të Shtëpisë së Bardhë të mërkurën. "Ne duhet të kemi durim e largpamësi kur bëhet fjalë për ndikimin në Rusi të këtij regjimi të pashembullt dhe gjymtues sanksionesh", shtoi ai.

Zoti Deese tha se parashikimet janë që norma vjetore e inflacionit në Rusi të arrijë mbi 200%. Ai vuri në dukje se administrata Biden pret që çmimet në Rusi të mos rriten më shumë se 200% këtë vit.

Ndërsa Shtëpia e Bardhë ka thënë se Rusia nuk duhet të marrë pjesë në takimin e G-20 që mbahet në Indonezi në muajin nëntor, zoti Deese vuri në dukje se Moska mund të largohej gjithësesi nga organizata sepse ekonomia e saj është tkurrur në përmasa tejet dramatike.

Pas njoftimit nga disa vende evropiane për dëbimin e diplomatëve rusë, Komisioni Evropian propozoi një paketë të pestë sanksionesh, që përfshin një ndalim të importeve të qymyrit rus, që do të hynte në fuqi pas miratimit unanimisht nga ambasadorët e bllokut prej 27-vendesh.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha se ndalimi i qymyrit kap vlerën e 4.4 miliardë dollarëve në vit dhe se BE-ja tashmë ka filluar të punojë për sanksione shtesë, përfshirë importin e naftës.

Por zonja Von der Leyen nuk e përmendi gazin natyror, për shkak të vështirësive për arritjen e një konsensusi mes vendeve anëtare të 27 të BE-së për shënjestrimin e këtij karburanti, që përdoret për të prodhuar energji elektrike dhe ngrohje. Mes vendeve kundërshtare është edhe Gjermania vendi me ekonominë më të madhe në Evropë e që ka një varësi të madhe nga gazi rus.

Por presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel tha se blloku duhet të vazhdojë të ushtrojë trysni ndaj Kremlinit, duke sugjeruar për vendosjen e një embargoje ndaj importeve të gazit në të ardhmen.

"Paketa e re përfshin një ndalim të importeve të qymyrit", tha zoti Michel të mërkurën. "Por herët a vonë mendoj se do të jenë të nevojshme edhe masat ndaj naftës dhe gazit rus”.

Paketa e re e masave e propozuar nga Komisioni përfshin gjithashtu sanksione ndaj të tjerë individëve me shtetësi ruse dhe katër bankave kryesore, mes tyre VTB, banka e dytë më e madhe ruse. Blloku gjithashtu do të ndalojë hyrjen e anijeve ruse në portet e BE-së.

Gjithashtu u propozua ndalime të mëtejshme që vendosin nën shënjestër eksportet, me vlerë 10 miliardë euro, në sektorët që mbulojnë kompjuterët kuantikë, gjysmëpërçuesit e avancuar, makineritë e ndjeshme dhe pajisjet e transportit.

E vlerësoj forcimin e paketës së 5-të të sanksioneve të BE-së, ndalimin e qymyrit rus, hyrjen e anijeve në portet e BE-së dhe të operatorëve të transportit rrugor”, shkruante në Twitter Ministri i Jashtëm i Ukrainës Dmytro Kuleba. Por sipas tij do të nevojitej një embargo ndaj gazit dhe naftës ruse, si dhe heqja e të gjitha bankave ruse nga sistemi financiar SWIF për të ndaluar Putinin, sikurse shtoi ai. “Kohët e vështira kërkojnë vendime të vështira", tha zoti Kuleba.

Aleatët perëndimorë kanë shkëputur tashmë disa banka ruse nga sistemi i mesazheve financiare SWIFT, i cili çdo ditë qarkullon me miliarda dollarë në më shumë se 11,000 banka dhe institucioneve të tjera financiare në mbarë botën.

Sanksionet pasojnë akuzat e shumta se forcat ruse kanë kryer krime lufte në Ukrainë. Presidentit Zelensky, akuzoi botën këto ditë se po dështon për t’i dhënë fund agresionit rus ndaj vendit të tij dhe për atë që ai e cilësoi si fushatë vrasjesh, përdhunimesh dhe shkatërimesh nga forcat ruse.

Sot Presidenti Zelensky akuzoi Rusinë se po përdor urinë si armë lufte duke goditur qëllimisht infrastrukturën ushqimore.

Duke folur para parlamentit të Irlandës, Presidenti Zelensky tha se forcat ruse “po shkatërrojnë sistemin ushqimor”, duke goditur magazinat, e bllokuar portet, që Ukraina të mos eksportojë artikuj ushqimorë dhe duke minuar fushat bujqësore”.

Për ta uria është po ashtu një armë, një armë kundër njerëzve të zakonshëm”, tha ai, duke e akuzuar Rusinë se “po shkakton qëllimisht një krizë ushqimore” në Ukrainë, një nga vendet kryesore në botë prodhuese të grurit dhe vajit të lulediellit. Kjo do të ketë pasoja për mbarë botën, tha ai, “pasi do të ketë mungesa të artikujve ushqimorë në treg dhe çmimet do të ngrihen.

Fjalimi i tij sot para parlamentit irlandez, ishte i fundit i një serie fjalimesh ndërkombëtare për të siguruar mbështetje për Ukrainën.

XS
SM
MD
LG