Lidhje

Arrestohen 57 zyrtarë policorë në Kosovë e Shqipëri


Mbi 50 zyrtarë policorë, të cilët punonin në vendkalimin kufitar ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, në Morinë, u arrestuan të premten në një operacion të përbashkët ndërmjet organeve të rendit nga të dyja shtetet.

Arrestohen 57 zyrtarë policorë në Kosovë e Shqipëri
please wait

No media source currently available

0:00 0:01:44 0:00

Në një njoftim të Inspektoratit Policor të Kosovës, thuhet se janë arrestuar 26 zyrtarë policorë, të dyshuar për veprat penale “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” dhe “marrje e ryshfetit”.

Operacionit të sotëm i ka paraprirë një hetim rreth një vjeçar, thuhet në njoftim, gjatë të cilit hetuesit thuhet se kanë përdorur edhe masat e fshehta të vëzhgimit dhe hetimit.

Ndërkohë në njoftimin nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Shqipëri, thuhet se janë arrestuar 31 zyrtarë, të cilët “në vijimësi detyronin shtetas shqiptarë dhe të huaj që të paguanin shuma të ndryshme parash për kalimin nga Shqipëria në Kosovë dhe anasjelltas”.

Aty thuhet se nga hetimi janë dokumentuar 312 raste të veprimeve korruptive të punonjësve të policisë, të cilët “favorizonin persona të ndryshëm për futjen e mallrave kontrabandë; persona që trafikonin automjete, sende të tjera të kundërligjshme; ndihmonin për të kaluar kufirin persona të ndryshëm të cilët kishin problem me ligjin dhe të tjera”.

Operacioni i sotëm me emrin e koduar “Pika 2”, është vazhdimësi e operacionit “Pika 1” i cili u zhvillua në mes të muajit të kaluar nga organet e rendit në Kosovë, gjatë të cilit u arrestuan 48 policë dhe 2 doganierë që punonin në vendkalimet kufitare ndërmjet Kosovës e Shqipërisë në Gjakovë e Prizren, nën dyshimet për veprat penale “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

XS
SM
MD
LG