Lidhje

Parashikimet e sondazheve: Macron, Le Pen drejt raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale


Gjatë procesit të numërimit të votave në Marsejë (10 prill 2022)
Gjatë procesit të numërimit të votave në Marsejë (10 prill 2022)

Katër anketime të ndryshme të bëra pas mbylljes së kutive të votimit tregojnë se presidenti aktual Macron dhe sfidantja Le Pen do të kualifikohen për një raund të dytë zgjedhjesh që do mbahet më 24 prill, pas raundit të parë që u mbajt të dielën.

Zoti Macron duket se kryeson në raundin e parë, sipas parashikimeve të pavarura të bëra nga kompanitë Ifop, OpinionWay, Elabe dhe Ipsos. Zoti Macron vlerësohet se do të fitojë 28.1 - 29.5% të votave, ndërsa zonja Le Pen 23.3 - 24.4%.

Një rezultat i tillë do të sillte një duel mes zotit Macron, një liberali për çështjet ekonomike me një këndvështrim globalist, dhe zonjës Le Pen, një euroskeptikeje të thellë nacionaliste, e cila deri në momentin e luftës në Ukrainë ishte një admiruese e hapur e Presidentit rus Vladimir Putin.

Zyrtarët zgjedhorë duke punuar në Nantes (10 prill 2022)
Zyrtarët zgjedhorë duke punuar në Nantes (10 prill 2022)

Zonja Le Pen po paraqet një kërcënim të papritur për shpresat për rizgjedhje të Presidentit Emmanuel Macron.

Që prej dy dekadash, asnjë president francez nuk ka fituar një mandat të dytë në detyrë.

Vetëm pak javë më parë anketimet e opinionit publik tregonin se zoti Macron do të fitonte lehtësisht, një politikan i qendrës dhe pro-Bashkimit Evropian, i cili fitoi pikë me diplomacinë e tij aktive për Ukrainën, me rimëkëmbjen ekonomike dhe për shkak të një opozite të fragmentuar.

Garë e ngushtë në zgjedhjet presidenciale në Francë
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:17 0:00

Por zoti Macron e filloi fushatën vonë dhe zhvilloi vetëm një tubim kryesor, nga i cili mbetën të pakënaqur edhe vetë mbështetësit e tij. Ai u dëmtua edhe nga përqëndrimi tek një propozim jopopullor për të rritur moshën e pensionit, si dhe nga një rritje e mprehtë e inflacionit.

Zoti Macron pak përpara votimit (10 prill 2022)
Zoti Macron pak përpara votimit (10 prill 2022)

Ndërkaq, zonja Le Pen, një kandidate euro-skeptike e së djathtës fitoi terren duke u përqendruar prej muajsh tek problemet e rritjes së kostos së jetesës, si dhe nga një rënie e madhe e mbështetjes për kandidatin rival në radhët e së djathtës ekstreme, Eric Zemmour.

Anketimet e bëra publike para se të fillonte heshtja zgjedhore në mesnatën e së premtes, ende tregonin zotin Macron në avantazh gjatë raundit të parë të zgjedhjeve dhe një fitore përballë zonjës Le Pen në raundin e dytë, të planifikuar për datën 24 prill. Megjithatë anketimet tregonin se gara do të ishte e ngushtë dhe se zonja Le Pen kishte ngushtuar diferencën. Në disa prej anketimeve, ajo rezultonte madje edhe fituese.

Zonja Le Pen gjatë një vizite në tregun e ushqimeve në Narbonne (8 prill 2022)
Zonja Le Pen gjatë një vizite në tregun e ushqimeve në Narbonne (8 prill 2022)

Në pushtet që në vitin 2017, 44-vjeçari Emmanuel Macron theksoi gjatë ditëve të fundit të fushatës elektorale se programi i zonjës Le Pen nuk ka ndryshuar, megjithë përpjekjet për të zbutur imazhin e saj dhe të partisë së saj, Bashkimi Kombëtar.

Zoti Macron u zgjodh në vitin 2017 me një platformë të qendrës, por në vazhdim politikat e tij ekonomike dhe të sigurisë anuan nga e djathta.

Disa zgjedhës të majtë mund të preferojnë kandidatin e së majtës së skajshme Jean-Luc Melenchon, i cili është radhitur i treti në anketime.

Kandidati i majtë Jean-Luc Melenchon duke votuar në Marsejë (10 prill 2022)
Kandidati i majtë Jean-Luc Melenchon duke votuar në Marsejë (10 prill 2022)

Nëse zoti Macron dhe zonja Le Pen vazhdojnë përballjen në raundin e dytë, presidenti mund të ndeshet me problemin që shumë votues të majtë kanë deklaruar tashmë në anketime se nuk do të veprojnë si në vitin 2017, kur i dhanë atij votën në balotazh vetëm për të mbajtur larg pushtetit zonjën Le Pen. Zotit Macron do t’i duhet t’i bindë këta votues që të ndërrojnë mendje dhe ta votojnë në raundin e dytë.

Të dy kandidatët pranuan në ditët e fundit të fushatës së rezultati i zgjedhjeve ishte i pasigurtë. Zonja Le Pen u tha mbështetësve të enjten se “gjithçka është e mundur”. Ndërsa zoti Macron paralajmëroi një javë më parë mbështetësit e tij që të mos përjashtojnë mundësinë e një fitoreje të zonjës Le Pen. “Shikoni çfarë ndodhi me Brexit-in, dhe shumë zgjedhje të tjera; çfarë dukej e pamundur, ndodhi”, deklaroi ai.

XS
SM
MD
LG