Lidhje

Ndërprerja globale e zinxhirit të furnizimit - përvoja e një fermeri


Lufta në Ukrainë dhe sanksionet ndaj Rusisë po shkaktojnë edhe më shumë stres në zinxhirin tashmë të tensionuar të furnizimit global, si pasojë e pandemisë. Për të parë se çfarë do të thotë kjo për konsumatorët dhe xhepat e tyre në mbarë botën, korrespondentja e Zërit të Amerikës Elizabeth Lee shkoi në fermën Rocky Point në Frederick, të shtetit Maryland.

Ndërprerja globale e zinxhirit të furnizimit, përvoja e një fermeri
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:24 0:00

Bujqësia nuk është e lehtë. Si të gjithë fermerët, Chuck Fry është në mëshirën e motit. Por ai kurrë nuk priste të kishte probleme për shkak të një pandemie dhe tani, një lufte në Ukrainë.

"Zinxhiri global i furnizimit për fermat është një katastrofë".

Chuck Fry është bujk. Por ai gjithashtu rrit të lashta të tilla si elbin dhe jonxhën. Pjesa më e madhe shkon për të ushqyer lopët. Këtë sezon mbjelljesh, kostoja e të bërit biznes është rritur shumë.

"Plehrat kimike pothuajse janë trefishuar nga viti i kaluar".

Chuck Fry dikur paguante rreth 330 dollarë për pak më shumë se 900 kilogramë plehra kimike. Këtë vit, atij i duhet të paguajë më shumë se 800 dollarë.

Problemi filloi kur pandemia ndërpreu prodhimin dhe transportin. Më pas Rusia – e cila prodhon shumë nga lëndët e para për prodhimin e plehrave kimike – sulmoi Ukrainën. Kjo shkaktoi më shumë ndërprerje të transportit, blerje me shumicë nga paniku dhe probleme të tjera.

I gjithë zinxhiri global i furnizimit u ngadalësua, njësoj si trafiku në autostradë, thotë ekonomisti Chris Tang.


"Ndërprerja është sikur dikush shkel gazin, dhe dikush tjetër shkel frenat".

Duke shkaktuar bllokime dhe vonesa në trafik.

“Kur bllokohet një furnizues, kjo vendos kufizime për të gjithë të tjerët kur nuk ka mallra mjaftueshëm për të gjithë”, thotë Aaron Robey me degën e uzinës Helena Fertilizer.

Chuck Fry thotë se çmimi i naftës është më shumë se dyfishuar. Traktori i tij mban 1135 litra karburant.

"Kjo naftë sjell ushqimin në tryezën time, pasi ky traktor funksionon me naftë dhe pa të, unë nuk mund të marr prodhimet e mia".

Edhe përpara këtyre sfidave, fermerët po përjetonin ndërprerje në zinxhirin e furnizimit global për shkak të pandemisë. Ata thonë se e kishin të vështirë të gjenin ilaçe për bagëtinë, sepse shumica e tyre vijnë nga Kina.

Anijet me kontenjerë të ngarkuara me mallra nga Azia u bllokuan në portet amerikane vitin e kaluar. Një mungesë kamionësh vonoi edhe më tej dërgesat e mallrave.

Kohët e fundit, rastet e COVID-19 janë rritur në Kinë, duke shkaktuar bllokime të përkohshme dhe mbyllje të fabrikave. Vëzhguesit presin ndërprerje në portin më të madh të kontejnerëve në botë në Shangai, që do të ketë efekt në mbarë botën.

Ekonomisti Chris Tang pret që vonesat të vazhdojnë.

“Nëse prodhimi i Kinës është me ndërprerje, sa herë që mbyllin fabrikat apo kur rifillojnë, në atë rast krijojnë bllokim trafiku, ashtu si shembulli që solla me autostradën”.

Kur oferta zvogëlohet dhe kërkesa është e lartë, çmimet rriten - duke shkaktuar inflacion.

"Bota jonë është e gjitha e lidhur, kështu që inflacioni në një vend do të shkaktojë inflacion edhe në vende të tjera" , thotë Chris Tang.

Në fermën e qumështit, Chuck Fry thotë se i është dashur të rrisë çmimin e akullores me 10 për qind.

“Shpenzimet për akulloren janë rritur për shkak të rritjes së kostove të përbërësve. Në aspektin afatshkurtër e di që çmimet e ushqimeve do të rriten dhe do të qëndrojnë të larta për shkak të ofertës dhe kërkesës”.

Ashtu si shumë fermerë, Chuck Fry thotë se mund t'i duhet të shkurtojë prodhimin për të kompensuar çmimet në rritje dhe për të vazhduar të mbajë fermën që ka qenë në familjen e tij që nga vitet 1800.

XS
SM
MD
LG